Kuvendi do të zhvillojë të mërkurën, më 18 nëntor, votimin në parim të projektbuxhetit të shtetit për vitin 2027. Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka nxjerrë urdhrin për zhvillimin e seancës plenare, ku nis zyrtarisht procedura parlamentare për shqyrtimin e dokumentit financiar të vitit të ardhshëm.
Sipas Rregullores së Kuvendit, miratimi i buxhetit kalon në disa faza dhe nuk përmbyllet brenda një seance të vetme. Pas votimit në parim, projektbuxheti u rikthehet komisioneve parlamentare për shqyrtim nen për nen, përpara se të rikthehet në seancë plenare për votimin përfundimtar.
Në seancën e 18 nëntorit, fillimisht do të paraqitet raporti i Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, i cili do t’i hapë rrugë diskutimit në parim. Më pas, deputetët do të shqyrtojnë dhe votojnë projektligjet financiare që lidhen drejtpërdrejt me buxhetin, përpara se të shprehen për projektligjin e buxhetit të shtetit.
Pas miratimit në parim, dokumenti do t’u kalojë sërish komisioneve për shqyrtimin nen për nen. Votimi përfundimtar në Kuvend pritet të zhvillohet dy javë pas seancës së parë, sipas procedurës së parashikuar në Rregullore.


