Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran, ka kërkuar përparim në Reformën Zgjedhore, në prag të zgjedhjeve vendore të 9 majit 2027.
Tarran është takuar me bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknurin dhe Oerd Bylykbashin, me të cilët ka diskutuar hapat që duhet të ndërmerren për vijimin e procesit.
Në fokus të takimit ka qenë zbatimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, ndërsa ambasadori ka vënë theksin te rëndësia e arritjes së rezultateve përpara përfundimit të mandatit të Komisionit, më 30 nëntor.
Sipas OSBE-së, përmbushja e këtyre rekomandimeve duhet të bëhet në kohën e duhur, përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe ndërpartiak. Ambasadori Tarran ka theksuar se përparimi në reformën zgjedhore është thelbësor për rritjen e besimit të publikut te proceset zgjedhore.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka rikonfirmuar angazhimin për të mbështetur dialogun politik konstruktiv dhe një proces gjithëpërfshirës të reformës zgjedhore, në prag të zgjedhjeve vendore të vitit 2027.