Prokuroria e Posaçme njoftoi të hënën, më 16 nëntor, përfundimin e hetimeve dhe dërgimin për gjykim të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke i shtuar akuzës për shkeljen e barazisë në tenderë edhe ato për korrupsion, fshehje pasurie dhe pastrim parash.
Bashkë me Ballukun, SPAK kërkon gjykimin e 25 personave të tjerë dhe dy kompanive për një sërë veprash penale që lidhen me dhjetë procedura prokurimi. Sipas prokurorisë, vetëm në projektin e Tunelit të Llogarasë, përllogaritja e fondit limit dhe rishikimi i preventivit i shkaktuan shtetit një dëm të pretenduar prej rreth 7.4 miliardë lekësh (81.6 milionë euro).
Hetimi përshkruan gjithashtu një skemë përfitimesh të paligjshme, përmes së cilës Balluku dyshohet se siguroi dy vila në bregdetin e Himarës, duke përdorur ish-futbollistin e Kombëtares Shqiptare, Igli Tare, për të fshehur pronësinë e tyre.
Megjithatë, drejtuesi i SPAK-ut, Klodian Braho, deklaroi se prokuroria nuk do t’i drejtohet sërish Kuvendit për të kërkuar autorizimin për arrestimin e saj. Ai tha se shtimi i akuzave rëndon pozitën penale të Ballukut, por nuk përbën, më vete, një bazë të mjaftueshme për një kërkesë të re.
Braho iu referua qëndrimit të shumicës parlamentare, e cila rrëzoi kërkesën e parë të SPAK-ut në shkurt, si dhe një vendimi unifikues të Gjykatës së Lartë mbi kushtet për caktimin e masave të sigurimit.
“Shtimi i akuzave në këtë rast për të pandehurën […] përbën rëndim të faktit penal, por referuar qëndrimit të Kuvendit për të njëjtën çështje dhe praktikës unifikuese të Gjykatës së Lartë, kjo situatë procedurale, e vetme, ka qenë e pamjaftueshme për të paraqitur kërkesë të re për caktimin e një mase sigurimi më të rëndë”, deklaroi ai.
Rezultatet e hetimit u prezantuan në një konferencë për shtyp nga Braho, zëvendësja e tij, Dorina Bejko, dhe prokurori Dritan Prençi. Sipas Brahos, në hetimin e nisur një vit më parë kanë punuar dy prokurorë dhe dhjetë hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Balluku, e cila ka drejtuar Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe më herët kompaninë shtetërore Albcontrol, akuzohet për shkeljen e barazisë në tenderë në nëntë raste, dy vepra korrupsioni pasiv, fshehje ose deklarim të rremë të pasurisë në dy raste, si dhe pastrim parash në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.
Ish-zëvendëskryeministrja i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar si “baltën, aludimet, gjysëm të vërtetat dhe gënjeshtrat”
Tenderë të paracaktuar dhe preventivë të fryrë
Hetimi përfshin tenderin për Tunelin e Llogarasë, disa segmente të Unazës së Jashtme të Tiranës, rrugën Porto Romano-Durrës, loti 3, si dhe rikonstruksionin e godinës teknologjike të Albcontrol.
Për tunelin, me fond limit mbi 18.9 miliardë lekë pa TVSH, SPAK pretendon se Balluku drejtoi në mënyrë të vazhdueshme procedurën e prokurimit, megjithëse formalisht ia kishte deleguar përgjegjësitë sekretares së përgjithshme të ministrisë.
Sipas prokurorisë, qëllimi ishte paracaktimi si fitues i bashkimit të kompanive turke “Intekar Yapi” dhe “Asl Insaat”.
SPAK thotë se Balluku mbajti kontakte të rregullta me Evis Berberin, fillimisht këshilltar i saj dhe më pas drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar, për kriteret e tenderit. Kontaktet dyshohet se vijuan gjatë dorëzimit dhe vlerësimit të ofertave, deri në lidhjen e kontratës. Ajo akuzohet se komunikoi gjithashtu me përfaqësues të kompanisë fituese.
Anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave – Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, akuzohen se shpallën fitues bashkimin e kompanive, megjithëse ai nuk i përmbushte kriteret e tenderit.
Në përllogaritjen fillestare të fondit limit, SPAK akuzon ish-sekretaren e përgjithshme të ministrisë Viola Haxhiademi, ish-drejtorin e ARRSH-së, Ergys Verdho, dhe ish-përgjegjësin e sektorit të preventivit, Genti Raça, se miratuan çmime të fryra dhe vepruan në kundërshtim me manualet teknike. Sipas ekspertimit të administruar gjatë hetimit, dëmi i shkaktuar në këtë fazë arrin në rreth 2 miliardë lekë.
Një dëm tjetër prej rreth 5.48 miliardë lekësh dyshohet se u shkaktua gjatë rishikimit të preventivit të kontratës.
Sipas SPAK-ut, Haxhiademi dhe pesë zyrtarë të tjerë miratuan volume dhe çmime të fryra, pa shqyrtimin teknik të sektorëve përkatës të ARRSH-së dhe pa verifikimet e nevojshme për t’i justifikuar ato.
Për tetë tenderët e tjerë rrugorë, me fond limit të përgjithshëm prej rreth 17 miliardë lekësh pa TVSH, prokuroria pretendon se u vendosën kritere të paargumentuara, të cilat kufizuan konkurrencën dhe favorizuan kompanitë që më pas u shpallën fituese.
Të pandehurit për këto procedura përfshijnë ish-drejtues të ARRSH-së, anëtarë komisionesh prokurimi dhe specialistë të ministrisë. Akuzat ndaj tyre përfshijnë shkeljen e barazisë në tenderë dhe shpërdorimin e detyrës.
Dy vila në bregdet dhe akuza për fshehjen e pronësisë
Një pjesë e hetimit përqendrohet te dy vila që, sipas SPAK-ut, i përkasin faktikisht Ballukut, por janë mbajtur në emër të Igli Tares.
E para ndodhet në kompleksin “Green Coast” në Palasë dhe ka një sipërfaqe totale prej 478 metrash katrorë.
Prokuroria pretendon se Tare financoi ndërtimin e saj deri në fazën e karabinasë, me një investim prej 250 mijë eurosh. Më pas, biznesmeni Arbër Abazi dyshohet se mori përsipër punime të tjera në vilë dhe në pishinën e saj.
Sipas SPAK-ut, preventivi i këtyre punimeve varionte nga 288 mijë në 410 mijë euro, ndërsa punimet e realizuara kapnin vlerën e 13.8 milionë lekëve.
Prokuroria pretendon se Balluku duhej të kishte deklaruar gjatë viteve 2020–2025 përfitimin prej 250 mijë eurosh nga Tare, të cilin e lidh me detyrën e saj si ministre.
“Këtë deklarim e pandehura Belinda Balluku nuk e ka bërë, me qëllim fshehjen e pasurisë së paluajtshme, përmes krijimit të dokumentacionit fiktiv të pronësisë së kësaj pasurie në emër të të pandehurit Igli Tare”, thuhet në njoftimin e SPAK-ut.
Punimet e kryera nga Abazi dyshohet se ishin përfitimi që Balluku kërkoi në këmbim të favorizimit të kompanisë së tij, “Alko Impex General Construction”, pjesë e bashkimit të operatorëve të shpallur fitues për lotin 7 të Unazës së Jashtme të Tiranës.
Sipas prokurorisë, përfitimi u kërkua gjatë zhvillimit të tenderit dhe u mor në formën e investimeve për përfundimin e vilës gjatë viteve 2022–2023.
Abazi dhe kompania e administruar prej tij akuzohen për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë.
Vila e dytë ndodhet në resortin “White Rocks”, në Gjilekë të Dhërmiut. Edhe për këtë pronë, SPAK pretendon se Balluku përdori emrin e Tares për të fshehur një përfitim të siguruar përmes detyrës.
Sipas hetimit, kur drejtonte Albcontrol, Balluku bashkëpunoi me anëtarë të njësisë së prokurimit dhe me Berberin, kryetar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, për të favorizuar kompaninë “Eurocol” në tenderin e rikonstruksionit të godinës teknologjike.
Prokuroria thotë se favorizimi vijoi gjatë zbatimit të kontratës, përmes sigurimit të një parapagimi në masën 50 për qind të vlerës së saj.
Në këmbim, Balluku dyshohet se përfitoi vilën përmes një kontrate porosie me vlerë 145 mijë euro, të lidhur në emër të Tares me “Eurocol”, kompaninë e biznesmenit Pandeli Carapuli.
Sipas SPAK-ut, për fshehjen e pronës u përdor edhe një kontratë fiktive qiraje mes Tares dhe vartëses së Ballukut, Joana Bushi.
Tare, Carapuli, Bushi dhe kompania “Eurocol” akuzohen për pastrim parash.
Vlera e përgjithshme e pasurive të sekuestruara në kuadër të hetimit arrin në 1.83 milionë euro. SPAK njoftoi se ka veçuar një pjesë të procedimit dhe po vijon hetimet për fakte të tjera të mundshme penale.
Pse SPAK nuk kërkon sërish arrestimin
Megjithëse akuzat ndaj Ballukut janë shtuar, Braho tha se prokuroria nuk ka identifikuar rrethana të reja që do të mbështesnin një kërkesë të dytë për autorizimin e arrestimit të saj.
Kërkesa e parë u depozitua në dhjetor të vitit të kaluar dhe u rrëzua nga Kuvendi më 12 shkurt 2026.
Sipas Brahos, shumica socialiste argumentoi në raportin e saj në Këshillin e Mandateve se zgjerimi i hetimit apo shtimi i episodeve të dyshuara nuk përbënte automatikisht një rrethanë të re që justifikonte rëndimin e masës së sigurimit.
Shumica vlerësoi gjithashtu se prokuroria nuk kishte paraqitur rrethana konkrete, objektive dhe aktuale që të provonin rrezikun e prishjes së provave apo të largimit të Ballukut nga vendi.
Braho tha se, nga vendimi i Kuvendit deri në përfundim të hetimeve, SPAK nuk kishte zbuluar të dhëna të reja për këto dy rreziqe.
“Nuk janë zbuluar të dhëna apo rrethana të reja”, shpjegoi ai, që të tregonin se Balluku kishte planifikuar ose ndërmarrë veprime konkrete për t’u larguar apo për t’iu fshehur drejtësisë.
Edhe për rrezikun e përsëritjes së veprave penale, Braho tha se situata kishte ndryshuar në disfavor të kërkesës së prokurorisë: kur SPAK iu drejtua Kuvendit, Balluku ushtronte ende funksionet e zëvendëskryeministres dhe ministres, ndërsa më pas kishte mbetur vetëm deputete.
Sipas tij, mandati parlamentar nuk i jep kompetenca individuale për menaxhimin e fondeve buxhetore apo të procedurave të prokurimit publik.
Braho iu referua edhe vendimit unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, të 9 prillit 2026, sipas të cilit rrezikshmëria e veprës dhe e autorit nuk mund të nxirret vetëm ose kryesisht nga natyra e krimit apo masa e dënimit. Ajo duhet të vlerësohet së bashku me mënyrën e kryerjes së veprës, pasojat, personalitetin dhe sjelljen e të pandehurit, si dhe rrethanat konkrete të çështjes.
Drejtuesi i SPAK-ut theksoi se prokuroria i qëndron kërkesës së parë për arrestimin e Ballukut, por tha se qëndrimi i Kuvendit, praktika unifikuese e Gjykatës së Lartë dhe mungesa e rrethanave të reja nuk i japin bazë të mjaftueshme për ta përsëritur atë.






