Në një takim të zhvilluar këtë të hënë, nën drejtimin e Presidentit të UEFA, Aleksander Čeferin, federatat kombëtare të përfaqësuara në Komitetin Ekzekutiv të UEFA dhe në Këshillin e FIFA i kanë bërë ftesë Presidentit të Federatës Franceze të Futbollit (FFF), Philippe Diallo, për të kandiduar në zgjedhjet për presidencën e FIFA-s në mars 2027, duke i shprehur njëzëri mbështetjen e tyre të plotë.
Philippe Diallo ka një përvojë të gjerë në të gjitha nivelet e futbollit: ka drejtuar organizatën që përfaqëson klubet profesioniste franceze, ka qenë pjesë e bordit drejtues të Ligës Profesioniste Franceze dhe ka shërbyer në strukturat e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të FIFA-s, përpara se të merrte drejtimin e Federatës Franceze të Futbollit dhe të bëhej anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s në vitin 2023.
Duke u shprehur për shqetësimet serioze lidhur me drejtimin aktual të FIFA-s, federatat kombëtare kërkuan një ripërtëritje të unitetit dhe besimit brenda komunitetit ndërkombëtar të futbollit. Ato theksuan nevojën për një FIFA që vendos zhvillimin e futbollit në çdo rajon të botës në qendër të misionit të saj, garanton standardet më të larta të qeverisjes dhe bashkëpunon ngushtë me federatat anëtare, konfederatat dhe të gjithë aktorët e futbollit.
Federatat shprehën besimin e tyre të plotë te Philippe Diallo për të ofruar lidershipin e nevojshëm në realizimin e këtij vizioni. Philippe Diallo ka pranuar ftesën për të kandiduar; kandidatura e tij pritet të ratifikohet zyrtarisht nga Komiteti Ekzekutiv i Federatës Franceze të Futbollit në mbledhjen e planifikuar për nesër.
