Rreziku i një aksidenti bërthamor në Ukrainë po rritet shumë javët e fundit.
Kështu kanë bërë me dije rregullatorët e sigurisë bërthamore që përfaqësojnë 38 vende, duke i kërkuar Rusisë të ndalojë sulmet e saj ndaj infrastrukturës energjetike të vendit.
Moska ka shtuar sulmet me dronë dhe raketa ndaj instalimeve energjetike të Ukrainës, të tilla si termocentrale, linja elektrike dhe nënstacione elektrike, një sistem tashmë i dobësuar pas gati pesë vitesh konflikti.
“Rreziku për të cilin kemi një shqetësim të thellë është rreziku i një aksidenti bërthamor në Ukrainë për shkak të sulmit të shtuar rus ndaj sistemit energjetik. Së bashku ne shprehim shqetësimin tonë të thellë për rreziqet në rritje për sigurinë bërthamore që rrjedhin nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës dhe sulmet e saj të vazhdueshme ndaj infrastrukturës energjetike të vendit”.
Shqetësimi kryesor i rregullatorëve është se, pa një furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike nga rrjeti, bëhet gjithnjë e më e vështirë për centralet bërthamore ukrainase që ta mbajnë materialin e tyre bërthamor të freskët dhe të shmangin një shkrirje bërthamore.
Nëse kjo do të ndodhte, mund të kishte çlirime radioaktiviteti në ajër, siç ndodhi gjatë katastrofës së Çernobilit në vitin 1986, e cila konsiderohet si aksidenti më i keq bërthamor civil në botë.
Në një intervistë, pwr Reuters, Per Strand, tha se sulmet ruse ishin bërë më vdekjeprurëse në javët e fundit, për shembull, duke përdorur dronë që mbajnë ngarkesa më të mëdha dhe janë më të saktë në shënjestrimin e tyre. Skenari më i keq, tha ai, do të ishte një ndërprerje mbarëkombëtare e rrjetit elektrik ukrainas, që do të ndikonte njëkohësisht në nëntë reaktorët bërthamorë të Ukrainës.
Ai theksoi se situata mund të shmangej nëse do të ndërmerreshin veprime tani dhe nëse Rusia do të ishte nën presion për të ndaluar sulmet e saj ndaj infrastrukturës energjetike.
Nëse jo, vendet evropiane duhet të punojnë së bashku për përgatitjen e tyre për emergjenca për të trajtuar pasojat e mundshme të një aksidenti bërthamor, tha ai.










