PS dhe PD nuk po gjejnë gjuhën e përbashkët për reformën zgjedhore dhe mandati i komisionit parlamentar përfundon më 30 nëntor, OSBE kërkon që palët të përshpejtojnë punën dhe të arrijnë një marrëveshje për ndryshimet që duhen bërë përpara zgjedhjeve vendore të 9 majit 2027. Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran, u takua këtë të hënë me dy bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri nga PS dhe Oerd Bylykbashi nga PD.
Gjatë takimit, Tarran theksoi nevojën që rekomandimet e OSBE/ODIHR-it të zbatohen në kohë, përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe me bashkëpunimin e të dyja palëve politike. Sipas tij, përparimi në reformë është thelbësor për të rritur besimin e qytetarëve te zgjedhjet.
Takimi u mbajt ndërsa socialistët dhe demokratët kanë mosmarrëveshje për çështjet që duhet të trajtojë reforma. PD kërkon masa më të forta kundër përdorimit të administratës dhe fondeve publike për vota, si dhe lista 100% të hapura dhe një zonë të vetme zgjedhore për zgjedhjet parlamentare. Nga ana tjetër, PS nuk pranon që kërkesat e demokratëve të përcaktojnë përparësitë e komisionit dhe ka lidhur diskutimin për ndryshimin e sistemit zgjedhor me uljen e numrit të deputetëve nga 140 në 101.
Një tjetër pikë përplasjeje është mënyra e zgjedhjes së këshilltarëve bashkiakë, pas ndryshimeve në hartën territoriale që e ulin numrin e bashkive nga 61 në 46. Me afrimin e afatit të përfundimit të mandatit të komisionit, socialistët kanë paralajmëruar se mund t’i miratojnë të vetëm ndryshimet zgjedhore nëse nuk arrihet marrëveshje me opozitën.
