Ministrat e Jashtëm të Rumanisë, Estonisë dhe Suedisë kanë kërkuar një përgjigje të fortë dhe të unifikuar evropiane ndaj pushtimit rus të Ukrainës, i cili po i afrohet pesëvjetorit. Kërkesa përfshin edhe aktivitetet armiqësore të Moskës që po përhapen në mbarë territorin evropian.
Thirrja u bë e ditur të hënën, ndërsa tensionet në Detin e Zi janë rritur ndjeshëm pas sulmeve me dronë ndaj anijeve në bregdetin rumun. Kjo është pjesë e asaj që ministrat e quajnë lufta hibride ruse, e cila kërkon një përgjigje të unifikuar evropiane, sipas tyre. Ministri i Jashtëm rumun, Dan Neculaescu, deklaroi se do të kërkojë një koordinim më të ngushtë mes NATO-s dhe BE-së për shkak të përshkallëzimit “të papranueshëm” të akteve dashakeqe në bregun rumun të Detit të Zi. “Kemi pasur 4 alarme në 24 orë dhe tre anije të goditura vetëm gjatë fundjavës.
Kjo është e papranueshme”, tha Neculaescu, duke theksuar se situata në Detin e Zi është bërë shumë e rrezikshme. Shefi i diplomacisë rumune shtoi se do t’u kërkojë homologëve të vazhdojnë të kontribuojnë me kapacitete të shtuara në vendin e tij. Dronët goditën tre mjete lundruese ditën e diel në kanalin Sulina të Rumanisë, një aks i rëndësishëm detar që lidh Danubin me Detin e Zi dhe që përdoret nga Ukraina për të eksportuar mallra.
Në të njëjtat linja, ministri i Jashtëm estonez, Margus Tsahkna, vlerësoi se përpjekjet e Rusisë për të kryer akte sabotimi në dëm të infrastrukturës ushtarake vendase tregojnë se aktivitetet dashakeqe të Moskës shkojnë përtej Ukrainës. “Veprime të tilla duhet të përballen me pasoja, të cilat duhet të përkthehen në një përgjigje evropiane ndaj luftës hibride”, deklaroi Tsahkna.
Edhe ministrja e Jashtme suedeze, Maria Malmer Stenergard, tha për Euronews se intensifikimi i luftës hibride reflekton frustrimin e Kremlinit nga fakti se nuk po fiton dot luftën në Ukrainë. “Ata po përpiqen prej thuajse 5 vitesh për të pushtuar Ukrainën, por kanë dështuar. Tani i takon Evropës të jetë e bashkuar dhe qytetarët e saj të jenë rezistentë”, deklaroi Stenergard.
Thirrjet e tre ministrave vijnë në një moment kur pushtimi rus i Ukrainës po i afrohet pesëvjetorit, ndërsa aktivitetet armiqësore të Moskës po shtrihen gjithnjë e më shumë në territorin evropian.
