Për Hisen Berishën, problemi nuk është vetëm kënga nacionaliste serbe që u dëgjua në një aktivitet të Bashkimit Europian, por mënyra se si Brukseli e trajton Kosovën përballë Serbisë. I ftuar në “Studio Live” në Report TV, ish-deputeti kërkoi që Prishtina të mos mjaftohet me një deklaratë keqardhjeje nga komisionerja Marta Kos, por të kërkojë përgjegjësi nga BE-ja dhe të forcojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.
Polemikat shpërthyen pas interpretimit instrumental të këngës serbe “Oj Kosovo, Kosovo”, më 15 nëntor, në koncertin hapës të Forumit të Zgjerimit të BE-së në Bruksel. Kënga, e lidhur me pretendimet nacionaliste serbe mbi Kosovën, shkaktoi reagime nga zyrtarë të Prishtinës dhe eurodeputetë, të cilët kërkuan shpjegime nga Komisioni Europian.
Berisha e lidhi incidentin me historinë e Kosovës nën regjimin e Sllobodan Millosheviçit, por edhe me atë që ai e konsideron një trajtim të pabarabartë të Kosovës dhe Serbisë nga diplomacia europiane.
“Mënyra e përfaqësimit s'ka qenë në nivele të larta, duke qenë se aty po bisedohej për zgjerim dhe integrim. Ka një shprehje doktrinare që thotë se nuk mund të kërkosh besim pa pasur përgjegjësi. Kjo melodi, edhe Kos e di, është krijuar në vitet kur Kosovës iu shkatërrua autonomia nga regjimi i Millosheviçit. Ajo që e bën më të ndjeshme situatën është se u interpretua në një forum të BE-së dhe Kosova vazhdon ende të përballet me pasojat e politikave të Serbisë së atëhershme dhe të sotme”, tha Berisha.
Sipas tij, reagimi i Kosovës duhet të shkojë përtej kërkesës për një ndjesë, pasi çështja nuk mund të reduktohet në një gabim të organizatorëve.
“Një dialog ndërkombëtar që është kontestuar për shkak të mungesës së baraspeshës apo dhe trajtimi diplomatik që në rastin e Serbisë ka qenë soft, ndërsa për rastin e Kosovës jo. Ngjarja nuk mund të mbyllet me një deklaratë keqardhjeje nga zonja Kos apo kushdo tjetër. Kosova duhet të kërkojë përgjegjësi, transparencë dhe garanci institucionale nga BE. Kosova duhet të mbrojë interesat shtetërore dhe të mos lejojë që ndjeshmëria jonë historike të trajtohet si problem protokollar, siç po përpiqet ta paraqesë zonja Kos dhe zyrtarët e tjerë apo edhe zyrtarët tanë”, u shpreh ai.
Por Berisha shkoi edhe më tej, duke kërkuar që incidenti të shërbejë si një sinjal për të rishikuar marrëdhëniet e Kosovës me Brukselin dhe për t'i dhënë një rol më të madh Uashingtonit.
“Kjo ngjarje duhet të shërbejë për një shqyrtim serioz të politikës sonë të jashtme, marrëdhënieve me BE dhe rolin e SHBA-së që duhet intensifikuar për të ardhmen e vendit tonë. Kosova nuk fitoi lirinë duke pritur që regjimi i Millosheviçit t'ia japë të drejtën. SHBA duhet të jenë garantë të së ardhmes së Kosovës. Kjo histori le të mbetet një udhërrëfyes për politikën tonë të jashtme. Nuk po them që Kosova të kërkojë privilegje nga BE-ja, por të kërkojë respekt për historinë e saj, shtetësinë e saj dhe të mos vihet nga këto narrativa primitive nacionaliste që na kanë mohuar lirinë”, përfundoi Berisha.








Komente
Komento