Autoritetet në Meksikë kanë nisur hetimet për vdekjen e gazetarit Eduardo Flores, i cili po punonte për dokumentimin e rasteve të personave të zhdukur në vend.
Gazetari, pjesë e redaksisë së medias “Enfoque Informativo”, u gjet i pajetë të shtunën në mbrëmje në qytetin e Acapulcos. Deri më tani, nuk janë bërë të ditura rrethanat e vdekjes së tij dhe as mënyra se si është kryer krimi.
Meksika vijon të konsiderohet një nga vendet më të rrezikshme në botë për gazetarët. Sipas organizatës Article 19, me seli në Londër, që prej vitit 2000 në këtë vend janë regjistruar 181 vrasje gazetarësh, ndërsa vetëm në shtatë muajt e parë të vitit 2026 janë shënuar gjashtë raste.
Shumica e këtyre ngjarjeve janë regjistruar në zona ku grupet e krimit të organizuar kanë ndikim të fortë. Për më tepër, një pjesë e madhe e vrasjeve mbeten pa autorë të identifikuar dhe pa u zbardhur.
Redaksia e “Enfoque Informativo” e cilësoi vrasjen si një goditje të rëndë ndaj lirisë së shprehjes, duke deklaruar se nuk do të tërhiqet nga raportimi i ngjarjeve dhe do të vijojë punën me të njëjtën vendosmëri dhe profesionalizëm.
Media i ka kërkuar Prokurorisë së shtetit të Guerrero-s një hetim të plotë dhe transparent, në mënyrë që përgjegjësit të dalin përpara drejtësisë.
Vdekja e Flores vjen pas një tjetër rasti tragjik në Meksikë. Roxana Guzman, e cila drejtonte një media të fokusuar te lajmet e kronikës së zezë në Veracruz, u rrëmbye më 2 qershor. Një video ku shfaqeshin persona të maskuar duke thyer derën e banesës së saj u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale. Trupi i saj u gjet rreth një muaj më vonë.
Ndërkohë, Meksika u rendit vitin e kaluar nga organizata Reporterët pa Kufij si vendi i dytë më i rrezikshëm për gazetarët, pas Gazës.
