Tuneli i Llogarasë 82 milionë euro dëm shtetit. SPAK: Belinda Balluku orientoi tenderin
Prokuroria e Posaçme e vlerëson në rreth 82,54 milionë euro dëmin ekonomik nga mënyra si u llogaritën kostot e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë. Tenderi për tunelin në aksin Orikum–Himarë, pjesë e rrugës Vlorë–Sarandë, kishte një fond limit që, me TVSH, arrinte në rreth 251,04 milionë euro.
Sipas ekspertimit teknik të administruar nga SPAK, rreth 22,13 milionë euro dëm lidhen me preventivin fillestar, mbi të cilin u përcaktua fondi limit i tenderit. Prokuroria thotë se në përllogaritjen e kostove u përdorën çmime më të larta se ato të përcaktuara në manualet teknike të ndërtimit.
Rreth 60,41 milionë euro të tjera lidhen me rishikimin e preventivit gjatë zbatimit të kontratës. Sipas SPAK-ut, zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të Autoritetit Rrugor Shqiptar miratuan sasi punimesh dhe çmime të fryra, pa kryer verifikimet teknike që do të përligjnin ndryshimet.
SPAK akuzon Ballukun se orientoi tenderin
Prokuroria pretendon se Belinda Balluku, në atë kohë ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, e orientoi procedurën nga hartimi i kritereve deri te nënshkrimi i kontratës, edhe pse kompetencat për tenderin ia kishte deleguar sekretarit të përgjithshëm të ministrisë. Sipas SPAK-ut, qëllimi ishte favorizimi i bashkimit të kompanive Intekar Yapi dhe Asl Insaat.
Sipas prokurorisë, Balluku komunikoi me Evis Berberin për kriteret e tenderit dhe me përfaqësuesit e kompanive gjatë kohës kur ata po përgatisnin dokumentet për të hyrë në garë. SPAK thotë se Komisioni i Vlerësimit të Ofertave i shpalli fituese kompanitë edhe pse ato nuk i plotësonin kriteret e tenderit. Saranda Web