Ulja e pragut të TVSH-së nxjerr nga skema e kompensimit 10% mijëra fermerë
Mijëra fermerë në Shqipëri rrezikojnë të humbasin një prej përfitimeve kryesore fiskale, kompensimin prej 10% të vlerës së shitjeve të produkteve bujqësore. Shkak është ndryshimi i parashikuar në paketën fiskale, përmes të cilit qeveria synon të përgjysmojë pragun e regjistrimit në TVSH, nga 10 milionë në 5 milionë lekë, duke filluar nga janari i vitit 2027.
Ndryshimi prek drejtpërdrejt fermerët që realizojnë një qarkullim vjetor mbi 5 milionë lekë, por që deri më tani kanë qëndruar jashtë skemës së TVSH-së dhe kanë përfituar kompensimin e posaçëm për prodhimin bujqësor.
Sipas skemës aktuale, fermerët që nuk janë të regjistruar në TVSH përfitojnë një kompensim në masën 10% të vlerës së shitjeve të produkteve të tyre. Ky mekanizëm synon të mbulojë një pjesë të kostove të TVSH-së që ata paguajnë për blerjen e inputeve, pajisjeve dhe shërbimeve të nevojshme për aktivitetin bujqësor.
Por e drejta për këtë kompensim lidhet me kufirin e qarkullimit vjetor. Me uljen e pragut në 5 milionë lekë, fermerët që realizojnë shitje mbi këtë vlerë rrezikojnë të dalin nga skema e posaçme.
Problematikën e ka ngritur ish-drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Artur Papajani, i cili paralajmëron se ndryshimi mund të sjellë pasoja financiare për prodhuesit bujqësorë dhe të krijojë nxitje për fshehjen e një pjese të aktivitetit ekonomik.
“Kompensimi i jepet fermerit me dorën e djathtë dhe i merret me të majtën!”, shkruan Papajani në reagimin e tij.
Sipas tij, politika e re mund të krijojë një paradoks për fermerët që investojnë për të zgjeruar prodhimin dhe për të rritur shitjet. Pikërisht kur aktiviteti i tyre kalon kufirin e ri, ata mund të humbasin të drejtën për kompensimin prej 10%.
Një tjetër rrezik i evidentuar është shtimi i informalitetit. Papajani argumenton se disa fermerë mund të përpiqen të mbajnë të padeklaruar një pjesë të shitjeve, në mënyrë që qarkullimi i tyre të mos kalojë pragun prej 5 milionë lekësh.
Kjo mund të ndikojë edhe në marrëdhëniet tregtare me blerësit e regjistruar në TVSH, duke nxitur shmangien e faturimit dhe duke dëmtuar përpjekjet për formalizimin e tregut bujqësor.
“Nga ulja e pastudiuar e pragut të TVSH-së, dëmi në ekonomi pritet të jetë kolateral”, thekson ish-drejtori i Tatimeve.
Megjithatë, kalimi në skemën e zakonshme të TVSH-së u jep fermerëve mundësinë të zbresin TVSH-në e paguar për blerjet e dokumentuara. Për këtë arsye, ndikimi financiar nuk do të jetë i njëjtë për të gjithë, por do të varet nga raporti mes kostove, blerjeve dhe shitjeve të secilit subjekt.
Shqetësimi kryesor lidhet me faktin se ulja e pragut të regjistrimit prek njëkohësisht edhe kufirin për përfitimin e kompensimit të posaçëm, ndërsa në propozimin e përshkruar nuk parashikohet një trajtim i veçantë për fermerët që preken nga ky ndryshim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



