Po hetonte rastet e personave të zhdukur nga bandat kriminale, gjendet i vdekur gazetari në Meksikë Basketbollisti amerikan, Greene Da’monte Khiree, është arrestuar në Nigeri, pasi dyshohet se tentoi të kontrabandonte rreth 34 kilogramë marijuanë në vend.
Për shkak të ligjeve të ashpra kundër trafikut të drogës në Nigeri, ai rrezikon dënimin me burgim të përjetshëm.
Sipas Agjencisë Kombëtare për Zbatimin e Ligjit kundër Drogave në Nigeri (NDLEA), i arrestuari është 28-vjeçar, me origjinë nga shteti i Xhorxhias në SHBA. Ai u ndalua të mërkurën e kaluar në aeroportin kryesor të Lagosit, pasi kishte mbërritur nga Tajlanda, përmes Emirateve të Bashkuara Arabe, raporton The Guardian.
Autoritetet bëjnë me dije se basketbollisti u ndalua teksa po përpiqej të largohej nga aeroporti vetëm me bagazhin e dorës, pasi kishte braktisur dy valixhe të regjistruara. Gjatë kontrollit, në këto valixhe u zbuluan 32 paketime me marijuanë, me një peshë totale prej 33.95 kilogramësh, si dhe një pajisje gjurmimi.
Gjatë marrjes në pyetje, Greene dyshohet se u ka deklaruar hetuesve se kishte udhëtuar drejt Nigerisë për të krijuar kontakte dhe rrjete që do ta ndihmonin në karrierën e tij si basketbollist.
Megjithatë, NDLEA pretendon se të dhënat e gjetura në telefonin e tij tregojnë se ai kishte dijeni dhe përfshirje në aktivitetin e trafikut të drogës. Damonte Greene figuron në listën e lojtarëve të ekipit Pattani Raptors, që konkurron në Ligën Premier të Tajlandës. Ai ka luajtur basketboll në kolegj me Reinhardt University dhe South Georgia Technical College.
Përpara se të transferohej në Tajlandë, ai kishte luajtur edhe në ekipe gjysmëprofesioniste në SHBA, ndërsa më pas kishte përfaqësuar disa skuadra në kampionatin tajlandez. Rasti rikthen në vëmendje edhe historitë e basketbollistëve amerikanë të përfshirë në çështje të ngjashme me drogën jashtë vendit. Ylli i WNBA-së, Brittney Griner, u burgos në Rusi për shkak të një çështjeje që lidhej me marijuanën, por u lirua në dhjetor të vitit 2022.
Top Channel