Trump befason me deklaratën për ish-shefin e Nvidia-s: Do të më pëlqente ta shihja sërish në krye të kompanisë

16/11/2026 19:22

Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë një deklaratë të papritur lidhur me të ardhmen e Jensen Huang, ish-drejtorit ekzekutiv të gjigantit teknologjik Nvidia, duke shprehur mbështetjen për rikthimin e tij në krye të kompanisë.

“Sigurisht që nuk do të më shqetësonte ta shihja sërish në atë pozicion”, u shpreh Trump të hënën, teksa iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve për mundësinë e rikthimit të Huang në drejtimin e kompanisë.

Deklarata vjen në një moment të vështirë për Nvidia-n, një prej kompanive më të fuqishme në botë dhe një aktor kyç në industrinë globale të inteligjencës artificiale, raporton BBC.

Huang dha dorëheqjen javën e kaluar, pasi në media dolën në dritë pretendime për dy marrëdhënie jashtëmartesore, njëra prej të cilave lidhej me një grua të dyshuar për spiunazh në favor të Kinës, ndërsa tjetra me një punonjëse të kompanisë që raportohej se ishte në varësi të tij.

Skandali ka shkaktuar tronditje në kompaninë amerikane dhe ka ngritur shqetësime për sigurinë kombëtare të SHBA-së, veçanërisht për shkak të marrëdhënieve të Nvidia-s me tregun kinez.

Rikthimi i Huang po mbështetet nga figura të njohura të industrisë së teknologjisë. Elon Musk, drejtues i SpaceX, dhe Tim Sweeney, drejtues i kompanisë Epic Games, janë ndër emrat që kanë mbështetur fushatën “Bring Jensen Back”.

Një letër e hapur drejtuar bordit të Nvidia-s ka mbledhur më shumë se 175 mijë firma, ku kërkohet rikthimi i Huang në detyrë, të paktën deri në përfundimin e një hetimi të brendshëm.

Musk argumentoi se largimi i tij mund të dëmtojë marrëveshje të rëndësishme biznesi, pasi shumë prej tyre ishin ndërtuar mbi besimin personal ndaj Huang.

“Pa Jensen, të paktën disa prej këtyre marrëveshjeve kritike do të humbasin”, shkroi Musk në platformën X.

Edhe investitorë të rëndësishëm të Nvidia-s kanë kërkuar që bordi të shqyrtojë të gjitha mundësitë, përfshirë rikthimin e ish-drejtorit ekzekutiv.

Autoritetet amerikane po shqyrtojnë nëse çipat e avancuar të Nvidia-s mund të kenë përfunduar në Kinë, në kundërshtim me kufizimet amerikane të eksportit.

Trump ka deklaruar se i beson Huang kur ky i fundit i ka thënë se nuk kishte dijeni për dyshimet që rëndonin mbi gruan.

Ndërkohë, ish-drejtuesi i Nvidia-s ka pranuar të dëshmojë përpara Kongresit amerikan, përfshirë Komitetin e Dhomës së Përfaqësuesve për Kinën, lidhur me çështjen dhe ndikimin e mundshëm në sigurinë kombëtare.

Pavarësisht mbështetjes nga Trump, Musk dhe investitorë të rëndësishëm, mundësitë për rikthimin e menjëhershëm të Huang konsiderohen të ulëta, për sa kohë hetimet e brendshme janë ende në zhvillim.

Aktualisht, drejtimin e kompanisë e ka marrë përkohësisht drejtoresha financiare Colette Kress, e cila pritet të prezantojë rezultatet financiare të Nvidia-s.

Top Channel