Kryeministri Edi Rama ka vijuar axhendën e takimeve në Bruksel, ku në kuadër të vizitës në institucionet europiane është pritur edhe nga Presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë kreu i qeverisë përmes një postimi në rrjetet sociale, ku njofton se Metsola ka përgëzuar Shqipërinë për progresin e shënuar në rrugën drejt integrimit europian.
Sipas Ramës, gjatë takimit Presidentja e Parlamentit Europian ka rikonfirmuar edhe mbështetjen e fortë të këtij institucioni për procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian.
Më herët, kryeministri shqiptar zhvilloi një takim edhe me Presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa. Në bisedime ishin të pranishëm edhe ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, si dhe ministrja Adea Pirdeni.
Vizita e Ramës në Bruksel zhvillohet në kuadër të përpjekjeve dhe angazhimeve të Shqipërisë për avancimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
