Takimi me presidentin Xi dhe Putinin, Trump diskuton për Ukrainën
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u nis sot drejt Azisë ku do të zhvillojë bisedime historike trepalëshe bërthamore me Rusinë dhe Kinën, duke deklaruar se planifikon të diskutojë luftën në Ukrainë gjatë takimeve me presidentin kinez Xi Jinping dhe liderin rus Vladimir Putin.
Kjo deklaratë bie ndesh me qëndrimin e administratës së tij të premten, e cila u kishte thënë gazetarëve se Trump do të shmangte çështjen e Ukrainës.
Ndërkohë, zhvillimet e fundit rreth konfliktit tregojnë një përshkallëzim të tensioneve në terren dhe lëvizjeve diplomatike.
Zyrtarët rusë njoftuan se pas rreth 17 orësh bllokim, qarkullimi rrugor në urën që lidh Rusinë me Krimenë e aneksuar ka rifilluar në një korsi me kalim të alternuar, ndërsa trenat po operojnë normalisht. Zëvendëskryeministri rus Marat Khusnullin konfirmoi se ekipet e riparimit janë mobilizuar, ndërsa Kremlini i cilësoi dëmet në urë si të lehta.
Në të njëjtën kohë, Rusia deklaroi se ka rrëzuar qindra dronë që kishin në shënjestër Moskën, kurse sulmet ruse kanë shkaktuar ndërprerje të reja të energjisë në gjashtë rajone të Ukrainës.
Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri të ditur se Rusia po merr më shumë raketa balistike nga Koreja e Veriut.
Paralelisht, në Bruksel, Franca u zotua të angazhohet fuqishëm për sigurinë evropiane gjatë bisedimeve për Ukrainën, ndërsa Kremlini mohoi akuzat e Estonisë se qëndron pas një tentative zjarrvënieje që çoi në mbylljen e kufirit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




