Përplasja mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj mund t'i kushtojë Partisë Socialiste në zgjedhjet vendore të 9 majit 2027. Paralajmërimi vjen nga analisti Ilir Yzeiri, i cili, i ftuar në emisionin “Sot Live në Shqipëri” në Report TV, tha se Veliaj mbetet një faktor i rëndësishëm politik brenda PS-së, që nuk mund të shpërfillet.
“Vetëm se di të të them këtë gjë që kjo çarje e madhe që ka ndodhur brenda Partisë Socialiste do të ketë një kosto. Zoti Rama u përpoq ta menaxhonte mirë faktorin Veliaj dhe u përpoq dy veprimet që bëri. E para që nuk e pranoi që është ai autori i transferimit ndaj asaj atyre kërcënimeve në burg. Domethënë jo se nuk e pranoi, po domethënë nuk desh që të merret me atë punë. Më kupton? Si me thënë është si puna e saj që ne bëjmë sherre. Mbyll tashti atë muhabet. E mbyllim atë muhabet. Nuk duhet ta vazhdoj. Dhe tjetra pastaj kur gjeti rastin që e përsëriti edhe njëherë që mbajtja e tij në burg është e padrejtë, domethënë paraburgimi i tij është i padrejtë dhe që është shprehja tjetër pastaj që atë nuk mund ta përjashtojmë sepse i ka duart e lidhura. Pra duket sikur Rama bën llogari politike sepse faktori Veliaj është një faktor shumë i rëndësishëm brenda PS-së" tha Yzeiri
"Po t'i shikosh edhe sondazhet që boton Shqiptarja.com midis Ramës edhe Veliajt, janë sondazhe. Unë i kam ndjekur vazhdimisht edhe në raste të tjera dhe shprehin një realitet. Janë gati 26 me 52. Domethënë pro Veliajt 26, pro Ramës 52, kupton që është një përqindje që duhet llogaritur. E para kjo dhe e dyta të mos harrojmë që përqindja në një organizëm të ngurtësuar tashti siç është bërë Partia Socialiste, në qoftë se janë katër zëra të shpallur domethënë që kanë pakënaqësira, katër zëra, ke parasysh që kjo përqindje përkthehet ndryshe pastaj brenda. Janë dhe mund të ketë edhe shumë të tjerë që po t'i japësh mundësinë si me thënë që të votojnë në mënyrë të fshehtë nuk dihet se çfarë rezultati mund të prodhojnë" shtoi ai.
Yzeiri këmbënguli se drejtuesit socialistë duhet të konsultohen me Veliajn përpara se të vendosin kandidatin për Bashkinë e Tiranës ndërkohë që hodhi poshtë zërat se kryebashkiaku mund të nxjerrë një kandidat rival përballë PS-së, duke i cilësuar ato si insinuata.
“Erion Veliaj nuk ka nevojë të caktojë asnjeri si kryetar, asnjë kandidat të nxjerrë, asnjë kandidat. Erion Veliaj do të mbështesë ose nuk do të mbështesë kandidatin që do të zgjedhë Partia Socialiste. Kjo mbetet për t'u parë. Vetëm se ata që do të zgjedhin kandidatin për Tiranën duhet të konsultohen edhe me zotin Veliaj. Kaq, duhet të konsultohen patjetër" tha Yzeiri
Yzeiri kujtoi edhe humbjen e Ramës përballë Lulzim Bashës në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës në vitin 2011, duke vënë theksin tek rëndësia që çdo votë mund të ketë në një garë të ngushtë.
“Dhe patjetër që faktori Veliaj duhet llogaritur dhe në çdo vend demokratik, më kupton. Në çdo vend demokratik kur futesh në zgjedhje duhet t'i llogarisësh që të gjitha, sepse zoti Rama e di shumë mirë historinë, ai dikur me Lul Bashën humbi për 10 vota. Kështu që duhet llogaritur që të gjitha në qoftë se do të krijosh një frymë, do të fitosh dhe Tirana është shumë e rëndësishme që të fitohet nga Partia Socialiste" tha Yzeiri.









Komente
Komento