Bursa amerikane hapi javën me humbje, pasi aksionet e Nvidia-s dhe të kompanive të tjera të teknologjisë u vunë nën presion në prag të publikimit të rezultateve financiare të gjigantit të çipave. Shqetësimet për të ardhmen e industrisë së inteligjencës artificiale dhe zhvillimet e fundit rreth Nvidia-s rritën pasigurinë mes investitorëve. Indeksi Nasdaq Composite ra me 1.4%, S&P 500 humbi 0.8%, ndërsa Dow Jones Industrial Average zbriti me 78 pikë, ose 0.2%.
Nvidia regjistroi një rënie prej më shumë se 2%, duke tërhequr pas vetes edhe kompani të tjera të sektorit: Micron Technology ra me 6%, Intel me 5%, AMD me 4%, Dell Technologies u zhvlerësua me mbi 5%, dhe Oracle pësoi një rënie prej afër 3%. Presioni ndaj Nvidia-s vjen në një moment delikat, ndërsa kompania përballet me shqyrtim shtesë nga autoritetet amerikane. Departamenti Amerikan i Tregtisë ka ndërmarrë hapa për të mbyllur një boshllëk ligjor që u ka lejuar kompanive kineze të marrin me qira kapacitetet kompjuterike të Nvidia-s të vendosura në vende të tjera.
Gjatë fundjavës, sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, kërkoi një ndryshim të thellë në drejtimin e kompanisë, duke i bërë thirrje bordit drejtues të shqyrtojë kandidatë jashtë strukturave aktuale për postin e drejtorit ekzekutiv. Vëmendja e investitorëve është përqendruar te rezultatet financiare të tremujorit të tretë të Nvidia-s, që do të publikohen të martën pas mbylljes së tregut; analistët parashikojnë një rritje prej afro 100% të të ardhurave dhe fitimeve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Përtej shifrave, tregu do të kërkojë sinjale nga drejtuesit e kompanisë mbi ecurinë e kërkesës për infrastrukturën e inteligjencës artificiale dhe mundësinë e ruajtjes së ritmeve aktuale të rritjes.
Në të njëjtën kohë, investitorët po ndjekin edhe debutimin e pritshëm të kompanisë Anthropic në tregjet financiare, një zhvillim që mund të ndikojë në pritshmëritë për sektorin e inteligjencës artificiale. Shqetësimet për vlerësimet e larta të kompanive teknologjike u reflektuan edhe në qëndrimin e institucioneve financiare: Mizuho uli objektivin e çmimit për aksionet e Nvidia-s nga 250 në 220 dollarë, ndërsa UBS e reduktoi nga 300 në 240 dollarë, por të dyja bankat ruajtën rekomandimet pozitive.
