Shefi i Krimeve të Rënda në Policinë e Vlorës, Ermal Lulaj, ka humbur jetën në një aksident të rëndë, që ndodhi mbrëmjen e të hënës në autostradën Fier-Vlorë. Ngjarja u shënua në afërsi të Novoselës, ku një automjet, në të cilën po udhëtonte shefi i Krimeve të Vlorës, është përplasur me një fadromë. Për pasojë, ka humbur jetën Ermal Lulaj, ndërsa është plagosur edhe një person tjetër, i cili është dërguar në spital. Në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, që po punojnë për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit. Më herët, një tjetër aksident u regjistrua në Elbasan, ku u plagos rëndë një këmbësor, pasi u përplas nga një makinë. Ngjarja ndodhi në zonën e njohur si ish-Parku i Rezervave të Shtetit, ku një automjet ka përplasur një shtetas të moshuar që po lëvizte në këmbë. Përplasja ka qenë e fortë dhe si pasojë këmbësori ka pësuar dëmtime të rënda.