Portieri irlandez Kelleher para duelit me Kosovën: Është një ndeshje shumë e madhe për ne

Portieri i Kombëtares së Irlandës, Caoimhin Kelleher, ka paralajmëruar një ndeshje të vështirë ndaj Kosovës, duke theksuar se skuadra e tij synon të marrë rezultat pozitiv në përballjen e së martës në Dublin.
Në konferencën për media para ndeshjes, portieri irlandez e cilësoi përballjen me Kosovën si shumë të rëndësishme për përfaqësuesen e tij, e cila synon të sigurojë vendin e dytë në Grupin B3 të Ligës së Kombeve.
“Është një ndeshje shumë e madhe për ne. Duhet të mësojmë nga ajo që ndodhi dhe të marrim gjërat pozitive. Shpresojmë të arrijmë një rezultat të madh nesër”, deklaroi Kelleher.

Irlanda është e vetëdijshme se përballë do të ketë një kundërshtar që e ka mposhtur në ndeshjen e parë. Kosova fitoi 1-0 në Prishtinë në shtator, ndërsa irlandezët synojnë të përgjigjen në stadiumin “Aviva” dhe të marrin tri pikët që do t’i ngjitnin në pozitën e dytë.
Për Kelleherin dhe bashkëlojtarët e tij, fitorja është objektivi i vetëm, pasi një barazim nuk do të mjaftonte për ta kaluar Kosovën në renditjen e grupit.
Ndeshja Irlandë – Kosovë zhvillohet të martën në Dublin, me fillim nga ora 20:45. /Telegrafi/













































