Shkodra: Kënga serbe në forumin e BE-së nuk ishte rastësi, provokim ndaj Kosovës dhe shqiptarëve

Shkodra: Kënga serbe në forumin e BE-së nuk ishte rastësi, provokim ndaj Kosovës dhe shqiptarëve

20:09, 16/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Pedagogu, analisti i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Selam Shkodra, e ka cilësuar si provokim të qëllimshëm incidentin me këngën nacionaliste serbe në një aktivitet të organizuar në kuadër të Bashkimit Evropian.

I ftuar në emisionin ‘Ora 19’ në SYRI TV me moderatoren Armela Ferko, Shkodra u shpreh se është e papranueshme që në një forum evropian të shfaqen mesazhe që mohojnë realitetin politik të Kosovës dhe ushqejnë pretendimet territoriale të Serbisë.

Ai e lidhi incidentin me përdorimin e këngëve çetnike dhe simboleve nacionaliste serbe gjatë viteve ’80 dhe ’90, kur Serbia ishte protagoniste e luftërave në ish-Jugosllavi. Sipas tij, përmes këngës ku përmenden Princi Llazar dhe Millosh Obiliqi, si dhe vargjeve që shprehin se ‘nuk e japim Kosovën’, synohet të nxitet nacionalizmi serb dhe të mohohet shtetësia e Kosovës.

Shkodra solli në vëmendje edhe raste të mëparshme, përfshirë incidente të ngjashme në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, gjatë kohës kur ish-ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremiç drejtonte këtë institucion.

‘Mohimi i realitetit politik dhe pretendimeve territoriale të Kosovës. Jam i shokuar nga ajo se si ka arrit që në një program të Bashkimit Evropian të ketë situata të tilla ku rajoni akoma nuk ka mbyllë plagët e të kaluarës.

Absolutisht që nuk është naive dhe e rastësishme. Një situatë të tillë kishim edhe në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara në kohën kur ish-ministri i jashtëm Vuk Jeremiç kryesonte Asamblenë e Kombeve të Bashkuara para disa viteve.

Kishim situata të tilla ku kishin kënduar këngë çetnike, e që në vitet '80 dhe '90, ku Serbia ishte shkaktari dhe promotori kryesor i disa luftërave në ish-Jugosllavi, kishte manifestuar ushtria serbe me këto këngë dhe nacionalizmin serb. Në këtë tekst të kësaj kënge, përveç tjerash, përmendet edhe Princi Llazar dhe Millosh Obiliqi si një prej figurave, sipas tyre, të Betejës së Kosovës.

Po ashtu shprehet se nuk e japim Kosovën dhe gjithsesi se kjo ka për qëllim për të ngritur nacionalizmin serb. Se si është menaxhuar situata pas këtij skandali në një nga forumet e Unioneve Evropian, lë shumë për të dëshiruar dhe mendoj që zonja Kos do duhej të ishte më e ashpër me provokimin që i është bërë edhe vetë këtij forumi dhe gjithë kombit shqiptar kudo ku...

Sepse do të duhej të ishte më e ashpër në raport me ata që kanë përgatitur këtë skenar. Për faktin se politika serbe në vazhdimësi, edhe nëpërmjet deklarimeve publike, po edhe në prapaskenë, e që bashkësia ndërkombëtare është në dijeni për këto veprimtari të vazhdueshme të politikës serbe dhe institucioneve të saj, punon që ta zhbëjë shtetin e Kosovës dhe të minojë paqen në rajon.

Tani i gjithë rajoni, po edhe bashkësia ndërkombëtare, ka përjetuar një situatë ku rajoni ka vuajtur nga gjakderdhjet e panevojshme dhe mendoj që në rast se lejohen këto lloj propaganda, të cilat ushqejnë mitologjinë serbe e cila është e obsesionuar pas Kosovës, mendoj që rajoni mund të rrëshqasë në një të ardhme të afërt në një situatë krize ku paqja nuk është e garantuar.

Zonja Kos shprehu keqardhjen e saj, duke u justifikuar se nuk është përzgjedhja e këngës dhe nuk përfaqëson qëndrimin e Komisionit Evropian, por kjo nuk është e mjaftueshme.

Po gjërat janë, të themi, të ndërlidhura, për faktin se në momentin që nuk ka pasur një ftesë për institucionet e Kosovës, për shtetin e Kosovës, mendoj që është lexuar gabimisht edhe nga përfaqësuesit e shtetit serb të cilët kanë qenë prezentë. Dhe nëpërmjet këtij skenari, të njëjtit kanë tentuar që ta shfrytëzojnë mosprezencën e Kosovës dhe mosvigjilencën e mjaftueshme të mekanizmave ndërkombëtarë të cilët e kanë organizuar këtë forum. Bashkimi Europian po kërkon pajtimin historik, por duhet të jetë veçanërisht i kujdesshëm që të mos u japë legjitimitet në asnjë mënyrë tendencave nacionaliste shoveniste të politikës serbe’, u shpreh Selam Shkodra në SYRI TV.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco