Prurjet e larta të lumit Kir kanë dëmtuar urën e Kasnecit, në njësinë administrative Pult të Bashkisë Shkodër, duke lënë të izoluar banorët e fshatit Plan dhe të lagjes Kasnec.
Banorët e zonës kanë raportuar se ura është dëmtuar nga rrjedha e lumit dhe se aktualisht nuk kanë mundësi të kalojnë përmes saj. Ata i kanë kërkuar Bashkisë Shkodër ndërhyrje emergjente për rikthimin e qarkullimit dhe zgjidhjen e situatës.
Ngjarja vjen në një kohë kur Instituti i Gjeoshkencave ka paralajmëruar për reshje me intensitet të lartë dhe rrezik për vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë në qarqet Shkodër, Kukës dhe Lezhë.
Sipas parashikimit, reshjet në këto zona mund të shoqërohen edhe me rrëshqitje dherash, ndërsa në disa qarqe të tjera priten reshje mesatare deri lokalisht intensive dhe shtrëngata.
Për ditën e nesërme, më 17 nëntor, parashikohen reshje të dobëta në të gjitha qarqet e vendit.

