Irani: Mbërritja e aeroplanmbajtëses “USS Roosevelt” vërteton synimin e SHBA-së për të nisur një luftë të re

Botë | 1 minutë më parë

Autoritetet në Iran deklarojnë se mbërritja e aeroplanmbajtëses amerikane USS Theodore Roosevelt në rajon vërteton pretendimet e Teheranit se Shtetet e Bashkuara nuk janë serioze për asnjë perspektivë paqeje.

Sipas qëndrimit zyrtar nga Teherani, pala iraniane nuk ka besim te pala amerikane dhe vlerëson se Uashingtoni po blen kohë për të grumbulluar më shumë forca ushtarake dhe për të rritur kapacitetet e tij, me synimin për të nisur një luftë të re.

Në reagimin e saj, pala iraniane shton se është plotësisht e përgatitur për t’u përballur me çdo skenar të tillë dhe bën me dije se po prodhon më shumë armatime, përfshirë armë të sofistikuara dhe sisteme të avancuara të mbrojtjes.

Mbërritja e USS Theodore Roosevelt në zonën e përgjegjësisë së Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM) të dielën e çon në tre numrin e grupeve goditëse të aeroplanmbajtëseve amerikane në Lindjen e Mesme, krahas USS George H.W. Bush dhe USS George Washington.

Ky forcim i pranisë detare vjen në një kohë tensionesh të larta dhe pas sulmeve të raportuara me dronë ndaj një baze në Bahrein, ndërsa përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit ende nuk kanë sjellë rezultat.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme