Reforma Zgjedhore në prag të vendoreve 2027, OSBE thirrje palëve për konsensus
Nesër provohet sërish mbledhja e Komisionit
Reforma Zgjedhore rikthehet në qendër të diskutimeve politike, ndërsa koha në dispozicion për Komisionin e Posaçëm Parlamentar po shkon drejt fundit. Me zgjedhjet vendore të 9 majit 2027 në horizont dhe mandatin e Komisionit që përfundon më 30 nëntor, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri u ka kërkuar palëve politike të përshpejtojnë punën për adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.
Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Michel Tarran, zhvilloi sot një takim me dy bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri nga Partia Socialiste dhe Oerd Bylykbashi nga Partia Demokratike.
Në fokus të diskutimit ishte ecuria e reformës dhe hapat që duhet të ndërmerren përpara zgjedhjeve të ardhshme vendore. Tarran vuri në dukje rëndësinë e shfrytëzimit të kohës së mbetur për të realizuar ndryshimet e nevojshme ligjore, duke theksuar se rekomandimet e OSBE/ODIHR-it duhet të trajtohen në kohë dhe përmes një procesi gjithëpërfshirës, ku të angazhohen të gjitha palët politike.
Sipas ambasadorit, përparimi në këtë drejtim është i rëndësishëm për rritjen e besimit të qytetarëve te proceset zgjedhore. Prezenca e OSBE-së ka rikonfirmuar gjithashtu gatishmërinë për të mbështetur dialogun politik dhe përpjekjet për një reformë të dakordësuar mes palëve.
Nesër një tjetër përpjekje për mbledhjen e Komisionit
Ndërkohë, ditën e nesërme pritet të tentohet sërish zhvillimi i një mbledhjeje të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Mbledhja është parashikuar në orën 12:30, në sallën “Pjetër Arbnori”, ndërsa në rendin e ditës janë përfshirë tri çështje kryesore.
Pika e parë lidhet me udhëzimin e ekspertëve të Komisionit për të nisur punën mbi draftet ligjore që do të paraqiten nga opozita. Së bashku me propozimet e saj, ekspertët do të duhet të shqyrtojnë edhe rekomandimet e OSBE/ODIHR-it që ende nuk janë adresuar.
Një tjetër çështje që pritet të shqyrtohet është përcjellja e projektligjit për financimin e partive politike në Komisionin e Venecias, me qëllim marrjen e një opinioni mbi përmbajtjen e tij.
Në pikën e tretë parashikohet orientimi i ekspertëve për të punuar mbi ndërhyrjet ligjore më urgjente që nevojiten për organizimin e zgjedhjeve të ardhshme vendore.
Mbetet për t’u parë nëse mbledhja e nesërme do të zhvillohet dhe nëse palët do të arrijnë të avancojnë me çështjet e parashikuara në rendin e ditës, në kushtet kur afati i Komisionit përfundon më 30 nëntor dhe zgjedhjet vendore të vitit 2027 po afrohen.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



