Aksident fatal në autostradën Fier-Vlorë, humb jetën shefi i krimeve në Policinë e Vlorës

Një aksident me pasojë humbje jete është regjistruar rreth orës 18:00 përgjatë autostradës “100 Vjetori” (Fier–Vlorë), në afërsi të zonës së Novoselës. Sipas raportimit të gazetares së RTSH-së në Vlorë, Afrovita Hysaj, dhe njoftimit zyrtar të Policisë, viktima është identifikuar si shefi i krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, Ermal Lula (E. L.).
Rrethanat e aksidentit dhe informacioni paraprak i policisë
Sipas të dhënave paraprake të Policisë së Vlorës, automjeti tip “Toyota” që drejtohej nga oficeri E. L., në drejtimin Fier–Vlorë, dyshohet se “për shkak të motit të keq dhe humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit”, është përplasur me një mjet të tonazhit të rëndë (skrep), i cili drejtohej nga shtetasi Th. P., 63 vjeç.
Si pasojë e përplasjes së fortë mes dy mjeteve, Ermal Lula ka ndërruar jetë në vendngjarje. Ndërkohë, drejtuesi i mjetit tjetër, shtetasi Th. P., ka pësuar dëmtime trupore dhe është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.
Hetimet nën drejtimin e prokurorisë dhe situata rrugore
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor. Sipas njoftimit zyrtar, hetuesit “nën drejtimin e Prokurorisë, po vijojnë punën për sqarimin e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të saktë të aksidentit”.
Ndërkohë, për shkak të aksidentit dhe pranisë së mjeteve të përfshira në rrugë, qarkullimi në këtë segment të autostradës Fier–Vlorë vijon të jetë i rënduar./RTSH







































