Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu thotë se krijimi i një shoqërie shtetërore për furnizimin me barna, pajisje mjekësore dhe shërbime mbështetëse synon të garantojë furnizimin e institucioneve publike shëndetësore dhe të shmangë mungesat në spitale. Në një intervistë televizive, Spahiu pranoi se problematikat e raportuara për mungesën e medikamenteve dhe pajisjeve mjekësore në institucionet shëndetësore janë reale, duke theksuar se përgjegjësia për garantimin e furnizimit duhet të jetë e shtetit.
“E vetmja zgjidhje do të jetë vetëm atëherë kur garancinë për ta furnizuar sektorin publik e merr shteti. Në momentin që mua sot më mungon një medikament për të cilin unë kam lidhur kontratë, do të jetë përgjegjësi e shtetit dhe e kësaj shoqërie për t’i dalë garant që në sistemin shëndetësor publik të mos ketë asnjë mungesë”, u shpreh ministrja. Duke iu përgjigjur pyetjes nëse modeli i ri nënkupton privatizim të tenderave të shëndetësisë apo krijimin e shoqërive të përbashkëta me operatorët privatë, Spahiu e cilësoi këtë interpretim të gabuar. Sipas saj, shoqëria do të nisë me një buxhet të përcaktuar nga shteti, ndërsa të ardhurat që do të krijojë do të riinvestohen në funksion të forcimit të saj dhe përmirësimit të shërbimeve.
Gjatë intervistës, Spahiu u ndal edhe te zgjerimi i trajtimeve në fushën e onkologjisë, duke bërë të ditur se po studiohet mundësia e përfshirjes së terapive të reja biologjike për diagnoza të caktuara, ku efektiviteti i tyre është i mbështetur nga vlerësimi shkencor. Ajo theksoi se vendimmarrja do të mbështetet te rekomandimet e bordit shkencor dhe profesoratit të shërbimit të onkologjisë, me synimin që trajtimet të orientohen drejt pacientëve që përfitojnë maksimalisht prej tyre.
“Ne do të duhet të fokusohemi në rastet ku pacientët përfitojnë maksimalisht. Pse? Sepse duhet t’i trajtojmë të gjithë. Dhe qasja jonë do të jetë që ku të jetë më e nevojshmja, aty duhet të shkojnë edhe investimet”, deklaroi Spahiu. Spahiu nënvizoi se asnjë sistem shëndetësor, pavarësisht kapaciteteve buxhetore, nuk mund të përballojë të gjitha terapitë e reja biologjike për çdo diagnozë, ndaj përzgjedhja duhet të bëhet mbi baza shkencore dhe sipas efektit të pritshëm te pacientët. Duke folur për përgjegjësinë e saj në drejtimin e sektorit, ministrja tha se ndihet përgjegjëse edhe për vendimmarrjet ndër vite, duke qenë pjesë e politikëbërjes në shëndetësi për 16 vite si deputete.
Spahiu u shpreh se synimi i saj është që çdo vendimmarrje të ketë ndikim pozitiv te qytetarët, pa lënë jashtë vëmendjes nevojat e personelit shëndetësor, përfshirë pagat, pajisjet mjekësore dhe kushtet e punës. Në këtë drejtim, ministrja u ndal edhe te kontrolli shëndetësor bazë, ku siç theksoi, heqja e kufirit të moshës ka sjellë rreth 100 mijë ekzaminime më shumë. Ajo bëri të ditur se po punohet për politika të reja në fushën e parandalimit dhe shfrytëzimin më të mirë të të dhënave të mbledhura nga ky shërbim. Spahiu theksoi se qasja e Ministrisë do të jetë e orientuar drejt pacientit, duke adresuar njëkohësisht rritjen e kërkesave për shërbime shëndetësore dhe nevojat e personelit mjekësor.
