Lamtumira e Cristiano Ronaldos nga kombëtarja vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes në Portugali, duke rritur polemikat dhe përçarjen. Pas homazhit që i rezervua Federata në ndeshjen e Nations League ndaj Danimarkës, debatin e rinxihoi nëna e tij, Dolores Aveiro, e cila në mediat vendase kritikoi ashpër mënyrën se si u menaxhua dalja e tij nga skena. Sipas saj, “E tradhtuan dhe për këtë arsye m’u bë qejfi për humbjen e Portugalisë”. Ajo shtoi se Cristiano “u ndje keq, u mashtrua dhe edhe unë jam hidhëruar” dhe përsëriti se për humbjen e kombëtares “Mirë t’u bëhet, u gëzova”.
Dolores vuri në shënjestër veçanërisht mënyrën si u organizua homazhi nga Federata, duke thënë se “Një homazh i tillë duhej organizuar në praninë e tij, jo në mungesë” dhe se “në kombëtare ai nuk mori respektin që meritonte, as nga një pjesë e shokëve të tij të skuadrës”. Deklaratat u bënë gjatë një eventi në stadiumin José Alvalade të Lisbonës, ku ajo theksoi se “Vlerësimin e vërtetë do ta marrë këtu, te Sportinh, ku dinë t’i japin vlerën e duhur, ndryshe nga sa bëri Federata”.
Në kampionatin vendas, Sporting i kushtoi një homazh Ronaldos gjatë ndeshjes me Moreirense: në minutën e 7 stadiumi u ngrit në këmbë, shfaqën parrulla dhe bëhej britma e famshme “siuuu”, ndërsa në ekranet e mëdhenj shfaqeshin momentet e tij më ikonike me kombëtaren portugeze. Po ashtu, kombëtarja bëri një homazh të sajën përpara ndeshjes me Danimarkën: titullarët zbritën me fanellën me numrin 7, në minutën e 7 nisën duartrokitjet kolektive dhe u shfaq një banderolë gjigante me mesazhin “Obrigado, Capi7ao”, me numrin 7 që zëvendësonte shkronjën T.
Trajneri i kombëtares, Jorge Jesus, kur u pyet për deklaratat e Dolores Aveiro, u shpreh me ton të ulët: “Vërtet duhet t’i përgjigjem nënës së Cristianos? E vlerësoj shumë zonjën, por çfarë mund t’i them tjetër?… një nënë mbetet gjithnjë nënë, është një instinkt natyral dhe për këtë arsye e kuptoj shumë mirë shfryrjen e saj”.
Cristiano Ronaldo mbylli karrierën me kombëtaren me 146 gola në 234 ndeshje. Rruga e tij nisi në vitin 2003, kur ishte 18 vjeç e gjysmë, nën drejtimin e Felipe Scolarit, dhe u mbyll në shtator me ndeshjen e Nations League ndaj Uellsit, ku u zëvendësua pak pas një ore lojë, duke lënë në trashëgimi triumfin historik në Euro 2016.

