Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave parashikohet të marrë 527 milionë lekë nga buxheti i shtetit për vitin 2027, vetëm 0.31% më shumë se në 2026, sipas projektligjit. Drejtori i përgjithshëm i Arkivave, Auron Rrokaj, vlerësoi para Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën se ky buxhet është i pamjaftueshëm, duke theksuar se institucionit i janë ngarkuar arkivat e Ministrisë së Brendshme dhe e Mbrojtjes si dhe detyra për trajnimin e gjithë rrjetit arkivor në vend, ndaj kërkohet rritje e fondeve.
Rrokaj raportoi një zvogëlim prej 10 milionë lekësh në tavanet buxhetore dhe përmendi kontrata në fuqi për vitin e ardhshëm me vlerë 6 milionë lekë. Ai tha: “Na është bërë një zvogëlim prej 10 milionë lekë në tavanet buxhetore. Çdo vit na e keni dhënë, këtë vit na e keni hequr. Këtë vit kemi dhe kontrata që janë në fuqi për vitin që vjen në vlerën e 6 milionë lekëve. Na duhen këto 10 milionë që na janë hequr.”
Një kërkesë e dytë lidhet me sigurinë fizike të objekteve, veçanërisht ambientet e Arkivit në Shkozë. Arkivat kërkojnë investime për instalime kamerash dhe përforcim rrethimi në selinë e Drejtorisë dhe në katër vendruajtje të reja në Shkozë, si dhe ndërtimin e kanaleve për parandalimin e përmbytjeve që hyjnë në katet e para gjatë reshjeve. Rrokaj përshkroi gjendjen aktuale të rrethimit si të papërshtatshëm: “Aktualisht është me një tel që nuk është i denjë as për një kotec pulash, jo për një arkiv shteti.”
Institucioni vijon procesin e dixhitalizimit të të gjitha dokumenteve arkivore me synim përmbylljen në 2028, por shpreh shqetësim për rrezikun e dështimit për shkak të mungesës së sigurisë online. Rrokaj paralajmëroi pasojat për qytetarët në rast të prishjeve të sistemeve, duke kërkuar mbrojtje të nivelit proporcional: “Ajo që kërkojmë ne është 1/10 e asaj që harxhon një bankë e nivelit të dytë për të siguruar paratë…”
Nga ana tjetër, Ministria e Financave argumentoi se Drejtoria nuk ishte prezent në seancën e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave për të shprehur kërkesat e saj; drejtori i Analizës dhe Programimit Buxhetor, Gentian Opre, tha se kërkesa e vetme shtesë ishte për projektin e dixhitalizimit, i cili nuk është reflektuar në projektbuxhet, dhe se mbeten të hapur për diskutim. Drejtoria e Përgjithshme i dorëzoi kërkesat përmes një raporti në Komision, duke kërkuar rishikim të buxhetit para miratimit.
