Arion Kurtaj, 21-vjeçari shqiptar i përfshirë në një grup të njohur kriminal kibernetik, është deklaruar fajtor për një seri sulmesh informatike ndaj kompanive të mëdha ndërkombëtare, mes tyre Rockstar Games, BT/EE, Revolut dhe Uber.

Kurtaj ishte përgjegjës edhe për publikimin e 90 videove të papublikuara të videolojës së shumëpritur Grand Theft Auto VI, pasi kishte arritur të depërtonte në sistemet e kompanisë Rockstar Games. Pas sulmit, ai kishte kërcënuar se do të publikonte edhe kodin burimor të lojës, me qëllim shantazhimin e kompanisë.

Sipas njoftimit të Shërbimit të Prokurorisë së Kurorës në Britaninë e Madhe (CPS), 21-vjeçari pranoi përfshirjen në një sërë sulmesh kibernetike që shkaktuan dëme të konsiderueshme financiare dhe kompromentuan të dhëna sensitive të kompanive dhe klientëve të tyre. Ai pritet të dalë para Gjykatës së Kurorës në Woolwich më 23 nëntor 2026, ku do të njihet me dënimin.

Hetimet zbuluan se aktiviteti kriminal i Kurtajt kishte nisur që në gusht të vitit 2021, kur ai arriti të depërtonte në serverët dhe sistemet e BT/EE. Sulmi shkaktoi ndërhyrje të paautorizuara në kartat SIM të klientëve, duke u dhënë mundësi autorëve të merrnin kontrollin e numrave të telefonit dhe potencialisht të aksesonin llogari personale e bankare.

Edhe pasi u akuzua për vepra të rënda penale, shqiptari vijoi aktivitetin kriminal. Në shtator të vitit 2022, ndërsa qëndronte në një hotel nën masa mbrojtëse, ai përdori një telefon celular, rrjetin Wi-Fi të televizorit dhe një pajisje Firestick për të kryer sulme të tjera.

Mes objektivave të tij ishte edhe kompania financiare Revolut, nga sistemet e së cilës u komprometuan të dhënat e mijëra klientëve. Ndërkohë, sulmi ndaj Uber përfshiu vjedhjen dhe fshirjen e të dhënave, si dhe ndërhyrje në llogaritë e brendshme të kompanisë. Dëmi financiar nga ky sulm vlerësohet në mbi 2.8 milionë dollarë.

Një tjetër episod i rëndësishëm ishte sulmi ndaj Rockstar Games, ku Kurtaj arriti të siguronte 90 video nga GTA VI, të cilat i publikoi në internet përmes pseudonimit TeaPotUberHacker.

Prokuroria britanike bëri me dije se identifikimi i tij u mundësua përmes analizës së provave dixhitale, pavarësisht përdorimit të disa pseudonimeve për të fshehur identitetin në internet.

Krahas këtyre veprave, Kurtaj u deklarua fajtor edhe për posedimin e një telefoni celular në burg në mars të vitit 2026, përmes të cilit kishte dërguar një mesazh tallës në numrin e emergjencës 999.

Prokurori i specializuar Robert Hutchinson e cilësoi çështjen si jashtëzakonisht komplekse, duke theksuar se sulmet kishin shkaktuar dëme të mëdha për kompanitë dhe kishin vënë në rrezik informacionin e ndjeshëm të klientëve dhe punonjësve.