Kështu pritet të duket ‘ishulli’ i kamerave në Galaxy S27 Pro dhe Ultra
Pamjet e modeleve Samsung Galaxy S27 Pro dhe S27 Ultra kanë qarkulluar në internet prej disa muajsh, ndërsa javën e kaluar u publikuan edhe fotografitë e para të modeleve testuese të serisë.
Modelet Pro dhe Ultra pritet të vijnë me një dizajn të ri të modulit të kamerave, ndërsa njësitë testuese të publikuara së fundmi shfaqnin një pamje ndryshe nga ajo e paraqitur në renderat e mëhershëm, transmeton Telegrafi.
Tani, informatori i njohur Ice Universe ka publikuar një imazh tjetër, i cili përputhet me dizajnin e parë te modelet testuese. Sipas tij, fotografia paraqet dizajnin përfundimtar të Galaxy S27 Pro dhe S27 Ultra.

Të dy modelet pritet të pajisen me kamerë kryesore prej 200 megapikselësh, që do të përdorë sensorin S5KHP6 të Samsung-ut, si dhe kamerë ultra të gjerë prej 50 megapikselësh. Kjo e fundit mund të përdorë sensorin Sony IMX855 ose Samsung S5KJN3.
Galaxy S27 Ultra pritet të ketë gjithashtu një kamerë telefoto prej 50 megapikselësh me zmadhim optik 5x, e cila do të përdorë të njëjtin sensor si kamera ultra e gjerë.
Ndërkohë, modeli S27 Pro pritet të ketë një kamerë telefoto prej 10 megapikselësh me zmadhim optik 3x, me shumë gjasë të pajisur me sensorin S5K3LD të Samsung-ut.
Seria Galaxy S27 pritet të prezantohet në janar ose shkurt të vitit 2027. /Telegrafi/





























