Një aksident i rëndë automobilistik në rrugën B311, pranë qytetit Erbach në Gjermani, u ka marrë jetën tre personave, mes tyre edhe dy të rinj shqiptarë nga Kosova, Leart Morina nga Sopniqi dhe Berhan Zeka.
Viktima e tretë është një 26-vjeçar, i cili ndërroi jetë në spital disa orë pas aksidentit.
Sipas mediave gjermane, në aksident u përfshinë gjithsej nëntë automjete, ndërsa tre persona të tjerë mbetën të plagosur. Mes tyre ishte edhe një 26-vjeçare, e cila u transportua në spital me plagë shumë të rënda. Gjendja e saj shëndetësore nuk ishte bërë ende e ditur nga autoritetet.
Nga hetimet paraprake dyshohet se drejtuesi 18-vjeçar humbi kontrollin e automjetit gjatë një manovre parakalimi, teksa po lëvizte me shpejtësi të lartë mes zonave Dellmensingen dhe Donaurieden. Makina e tij u përplas me automjete të tjera dhe më pas u përplas ballazi me një automjet që vinte nga drejtimi i kundërt.
Përplasja ishte tepër e rëndë, duke i shndërruar automjetet në një grumbull rrënojash. Në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie, zjarrfikësish dhe ekipesh emergjence. Rruga B311 qëndroi e bllokuar për më shumë se 20 orë.
Policia gjermane ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit. Për këtë qëllim është angazhuar edhe një ekspert, ndërsa po merren në pyetje dëshmitarët e ngjarjes.








Komente
Komento