Mandati i gjykatësit kushtetues Osman Kadriu në Gjykatën Kushtetuese përfundon në dhjetor. Ai e bëri të ditur këtë mbrëmjen e sotme në emisionin “Debat në Shenja”, ku foli edhe për lëndët që ka shqyrtuar si gjykatës referues dhe që ende presin të kalojnë në seancë gjyqësore.
Në të njëjtin muaj, sipas Kadriut, përfundon mandati edhe i kolegut të tij Darko, ndërsa pas dy muajsh skadon edhe mandati i gjykatësit Naser Ajdari.
Të lidhura
None found
Kadriu shpjegoi se lëndët për të cilat ka përfunduar punën si gjykatës referues dhe që i ka dorëzuar, tani duhet vetëm të shqyrtohen në seancë gjyqësore. Mes tyre është edhe lënda që lidhet me rastet e Hagës. Ai dalloi këto raste nga ato për të cilat procedura nuk ka nisur ende.
Sa i përket lëndës për rastet e Hagës, gjykatësi tha se e kishte përmbyllur procedurën pesë-gjashtë muaj më parë dhe kishte hartuar një raport me shkrim. Në fund të raportit, në përputhje me rregullat e Gjykatës, përfshihet petitumi, pra propozimi se si duhet të përfundojë iniciativa e paraqitur nga Pavle Trajanov.
Kadriu e cilësoi iniciativën të pabazë dhe tha se propozimin e tij e kishte mbështetur me fakte e akte. Sipas tij, Gjykata Kushtetuese është shprehur më parë për këtë çështje, e cila në drejtësi njihet si “res judicata”, ose çështje e gjykuar.







