Një aksident tragjik automobilistik në Gjermani u ka marrë jetën tre personave, mes tyre edhe dy të rinj shqiptarë nga Kosova, Leart Morina nga Sopniqi dhe Berhan Zeka. Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e së dielës në aksin rrugor B311, pranë qytetit Erbach, në qarkun Alb-Donau.

Sipas policisë gjermane, aksidenti ndodhi pas një përplasjeje ballore mes dy automjeteve, ku u përfshinë gjithsej nëntë makina. Dy drejtuesit e automjeteve, përkatësisht 18 dhe 19 vjeç, humbën jetën në vendngjarje, ndërsa një pasagjer 26-vjeçar, i cili ishte transportuar në gjendje kritike në spital, ndërroi jetë disa orë më vonë, të dielën në mbrëmje.

Në automjetin tjetër ndodheshin edhe një pasagjer 26-vjeçar dhe një 26-vjeçare, të cilët pësuan dëmtime tepër të rënda. Për gjendjen shëndetësore të kësaj të fundit nuk ka ende informacion zyrtar. Ndërkohë, tre persona të tjerë mbetën të plagosur nga përplasja.

Nga hetimet paraprake dyshohet se drejtuesi 18-vjeçar humbi kontrollin e automjetit gjatë një manovre parakalimi, teksa po lëvizte me shpejtësi të lartë mes zonave Dellmensingen dhe Donaurieden. Makina e tij doli nga kontrolli, u përplas me automjete të tjera dhe më pas goditi ballazi një makinë që vinte në drejtim të kundërt.

Përplasja ishte aq e fortë, sa automjeti i dyshuar si shkaktar i aksidentit u nda në disa pjesë. Sipas mediave gjermane, vendi i ngjarjes ngjante me një fushë të mbushur me rrënoja, ndërsa në operacionin e shpëtimit u angazhua një numër i madh forcash policore dhe emergjencash, përfshirë edhe shërbimet e mbështetjes psikologjike.

Për shkak të aksidentit të rëndë, rruga B311 që lidh zonat Dellmensingen dhe Donaurieden qëndroi e bllokuar për më shumë se 20 orë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb