Klosi konfirmon “prerjen e kokave”: Spiropali dhe Ndreca jashtë forumeve të PS-së
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ka dhënë detaje mbi vendimin e marrë në mbledhjen e së shtunës të Asamblesë Kombëtare, ku Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca u larguan nga forumet drejtuese të partisë.
I ftuar në emisionin “Top Story”, Klosi theksoi se Spiropali nuk është përjashtuar nga Partia Socialiste, por nuk do të jetë më pjesë e asnjë prej forumeve të saj. Sipas tij, i njëjti vendim është marrë edhe për Plarent Ndrecën.
Gjatë intervistës, ai u pyet drejtpërdrejt nga moderatorja Grida Duma nëse Asambleja kishte votuar për largimin e dy figurave socialiste, por nuk dha një përgjigje të qartë për këtë pikë.
Klosi deklaroi se vendimi ishte marrë nga forumet e partisë, pas kërkesës së Asamblesë, duke iu referuar nenit 22 të statutit, i cili, sipas shpjegimit të tij, u jep forumeve kompetencën për të vendosur për largimin e anëtarëve të tyre.
“U mor vendimi për t’i përjashtuar nga të gjitha forumet e PS-së, Elisa Spiropalin edhe Plarent Ndrecën. Ne nuk jemi parti që shkarkojmë njerëz. Këtë filozofi ka pasur PS-ja edhe në dekadat e fundit. E kemi edhe në statut që edhe online mund të regjistrohet”, u shpreh Klosi.
Ai shtoi se gjatë mbledhjes pati diskutime nga tre kolegë dhe se Asambleja mbajti qëndrimin për largimin e dy anëtarëve nga forumet drejtuese.
“Të dy kolegët janë të shkarkuar nga forumet e PS-së, por jo nga PS-ja. Nga partia nuk kemi shkarkuar askënd”, deklaroi sekretari i Përgjithshëm.
I pyetur se cila ishte arsyeja konkrete apo “vija e kuqe” që kishte kaluar Spiropali dhe që çoi në këtë vendim, Klosi nuk dha detaje, duke e cilësuar çështjen si pjesë të diskutimeve të brendshme të socialistëve.
“Këto janë të gjitha problemet tona të brendshme. Publiku duhet të dijë se ku fokusohet PS-ja dhe është thjesht dhe shumë e qartë biseda. Janë organizimet tona të brendshme”, tha ai.
Kështu, sipas versionit të paraqitur nga Klosi, Spiropali dhe Ndreca mbeten anëtarë të Partisë Socialiste, por humbasin pozicionet në të gjitha forumet drejtuese të saj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



