Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka pranuar se gjatë viteve në krye të vendit ka bërë edhe gabime, por ka këmbëngulur se është përpjekur gjithmonë të veprojë në interes të Francës. Mesazhi u publikua në platformën X, në 10-vjetorin e njoftimit të kandidaturës së tij presidenciale, vetëm gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të dytë.
“Dua t’u them atyre që nuk votuan për mua se në çdo moment bëra më të mirën time për të mirën e përgjithshme të vendit”, shkroi Macron.
Ai pranoi se “ndonjëherë ka pasur gabime”, por theksoi se gjatë gjithë kësaj periudhe ka punuar së bashku me njerëz që i cilësoi të përkushtuar, në shërbim të Francës dhe qytetarëve të saj.
Në mesazhin e tij retrospektivë, Macron deklaroi se gjatë dekadës së fundit është përpjekur të mbajë premtimet dhe të përballojë krizat së bashku me francezët.
Ky përvjetor e gjen presidentin në një moment të vështirë politik. Popullariteti i tij arriti në shtator nivelin më të ulët që nga ardhja në pushtet në vitin 2017, me vetëm 15% mbështetje, në një klimë të shoqëruar nga pakënaqësitë sociale, protestat studentore dhe rritja e çmimeve të karburanteve.
Macron shpalli kandidaturën e tij për president dhjetë vite më parë, me synimin për të kapërcyer ndarjen tradicionale mes së majtës dhe së djathtës. Në atë kohë, ai sapo ishte larguar nga qeveria e socialistit François Hollande, ku kishte mbajtur postin e ministrit të Ekonomisë.
Presidenti 48-vjeçar nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë radhazi dhe do ta përfundojë mandatin e dytë pesëvjeçar më 13 maj.
Ndërkohë, në garën presidenciale që pritet pas gjashtë muajsh, kandidatja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, të cilën Macron e ka mundur në zgjedhjet e viteve 2017 dhe 2022, renditet si favorite.

