Një aksident i rëndë është regjistruar në qytetin e Durrësit, ku një automjet ka përplasur një kalimtar, duke e lënë të plagosur rëndë.
Ngjarja ka ndodhur në kryqëzimin e Spitallës, gjatë ndjekjes nga policia të një automjeti, drejtuesi i të cilit nuk i ishte bindur urdhrit për të ndaluar.
Sipas të dhënave paraprake, gjithçka ka nisur në zonën e Lagjes 18, ku drejtuesi i automjetit është larguar me shpejtësi, duke kryer manovra të rrezikshme në rrugët e qytetit. Pas rreth 20 minutash ndjekjeje, policia ka arritur ta ndalojë dhe arrestojë.
Ndërkohë, kalimtari i plagosur është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Durrësit, ku raportohet se ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Identiteti i drejtuesit të automjetit dhe arsyet e largimit të tij nga policia ende nuk bëhen të ditura. Pritet që policia të japë më shumë detaje për ngjarjen.












