Top Story/ SPAK mbyll hetimet dhe dërgon në gjyq Belinda Ballukun, ish-prokurori Beci: Prokuroria e Posaçme testoi Kushtetutën

16/11/2026 22:56

SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, e njëherësh edhe ish-ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Në studion e “Top Story”, ish-prokurori Eugen Beci u shpreh se SPAK i ka pasur “duart e lidhura” përballë politikës, ose Kuvendit, për t’i dërguar një kërkesë të dytë që kërkonte heqjen e imunitetit të Ballukut. Sipas tij, standardi i dyfishtë nuk duhet kërkuar te SPAK, por te politika.

“Duhet të kërkojmë dy standarde te politika, jo te Prokuroria e Posaçme, duke iu referuar vetëm fakteve që janë kokëforta. E kam thënë edhe më parë që kërkesa për një masë tjetër është e pamundur të ndodhë ligjërisht. SPAK i kishte duart e lidhura ligjërisht për kërkesën e dytë.

SPAK testoi Kushtetutën, marrëdhëniet juridiko-politike që politika i krijon, ndaj them që standardi i dyfishtë duhet kërkuar te politika dhe jo te SPAK. Ishte politika që i vuri një barrierë”, tha ai, duke sqaruar se, në terma të thjeshtë, Kuvendi i tha SPAK-ut se duhet të kërkosh heqjen e imunitetit për herë të dytë nëse gjen një shkelje të re dhe jo për ato që iu përgjigj një herë.

Top Channel