Një fushatë e gjerë ka nisur për rikthimin e Jensen Huang në krye të gjigantit teknologjik Nvidia, vetëm pak ditë pasi ai dha dorëheqjen mes pretendimeve për marrëdhënie të dyshuara me një biznesmene kineze, e cila po hetohet për lidhje të mundshme me inteligjencën kineze. Mbi 180 mijë persona kanë firmosur një peticion në mbështetje të tij, ndërsa nismës i është bashkuar edhe Elon Musk.

Mbështetje për rikthimin e Huang ka shprehur edhe presidenti amerikan Donald Trump, i cili deklaroi se nuk do ta kundërshtonte një vendim të tillë.

“Nuk do të më vinte keq për këtë. Shumë njerëz duan që Jensen të kthehet. Në fakt, nuk do të ishte një ide e keqe”, u shpreh Trump për gazetarët.

Çështja është bërë edhe më e ndërlikuar për shkak të dyshimeve për kontrabandimin e çipave të avancuar të inteligjencës artificiale të Nvidia-s drejt Kinës, përmes kompanisë Megaspeed, me seli në Singapor, ku Alice Huang kishte mbajtur një pozicion drejtues. Agjencitë amerikane të inteligjencës po hetojnë gjithashtu lidhjet e saj të mundshme me Ministrinë kineze të Sigurisë Shtetërore dhe nëse ajo ka përcjellë informacione drejt Pekinit.

Fushata, e quajtur “Stand With Jensen”, ka tërhequr edhe mijëra persona që identifikohen si punonjës dhe aksionarë të Nvidia-s. Sipas të dhënave të publikuara në faqen e peticionit, mbi 8,800 nënshkrues pretendojnë se janë punonjës aktualë të kompanisë, ndërsa më shumë se 94 mijë identifikohen si aksionarë. Këto të dhëna, megjithatë, nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.

Pavarësisht mbështetjes së madhe, bordi i Nvidia-s nuk po shqyrton aktualisht rikthimin e Huang në postin e drejtorit ekzekutiv. Edhe investitorët janë të ndarë për të ardhmen e tij, pasi disa kërkojnë që hetimet të përfundojnë përpara çdo vendimi, ndërsa të tjerë vlerësojnë se largimi i tij mund të ndikojë në marrëdhëniet strategjike të kompanisë me partnerët dhe furnizuesit, veçanërisht me prodhuesin tajvanez të çipave TSMC.

Largimi i Huang ka shkaktuar reagime edhe në Tajvan, vendin ku ai ka lindur dhe ku gëzon popullaritet të madh. Në Taipei, rrokaqielli Taipei 101 u ndriçua me mesazhe në mbështetje të tij, përfshirë sloganin “Taiwan Loves Jensen”.

Ndërkohë, e ardhmja e tij në drejtimin e Nvidia-s mbetet e paqartë, ndërsa kompania përballet me presionin e investitorëve dhe hetimet që vijojnë për çështjen.