Shoferët profesionistë shqiptarë po përballen me një pengesë që po u vështirëson punën në transportin ndërkombëtar të mallrave. Rregulli Shengen 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore po zbatohet edhe për ta, duke i trajtuar njësoj si turistët, pavarësisht se qëndrimi i tyre në vendet europiane lidhet me transportin e mallrave dhe udhëtarëve. Me kontrollet elektronike të hyrje-daljeve, tejkalimi i këtij afati evidentohet më lehtë dhe shoferët që konsumojnë 90 ditët e lejuara rrezikojnë të kthehen në kufi dhe të mos lejohen të hyjnë sërish deri në plotësimin e periudhës përkatëse. Për këtë arsye, sot drejtues të autobusëve, furgonëve dhe kamionëve që operojnë në linjat ndërkombëtare u mblodhën në portin e Durrësit, duke reaguar dhe kërkuar ndërhyrjen e qeverisë shqiptare dhe negociata me autoritetet italiane për një zgjidhje të posaçme për transportuesit profesionistë.