Tuesday / November 17 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Nga Vendi Western Balkans Monitor

Mbi 100 vjet për t’u barazuar, pensionet në Shqipëri sa 19% e nivelit të BE-së sipas fuqisë blerëse

Share Share Icon

Pensioni mesatar neto në Shqipëri kishte vetëm 19% të fuqisë blerëse të pensionit mesatar në Bashkimin Europian në vitin 2025, niveli më i ulët në Ballkanin Perëndimor.

Sipas të dhënave nga Instituti i Vjenës për Studime Ndërkombëtarë (wiiw), në vitin 2025, me pensionin mesatar neto në Shqipëri mund të blije afërsisht po aq mallra e shërbime sa me 260 euro në BE, me çmimet mesatare atje (Krahasimi bëhet në standardin e fuqisë blerëse (PPS), një njësi që Eurostat përdor për të marrë parasysh dallimet në çmime mes vendeve).

Edhe pasi merren parasysh dallimet në çmime, pensioni mesatar në Shqipëri kishte vetëm gati një të pestën e fuqisë blerëse të pensionit mesatar në BE.

Shqipëria e ngushtoi hendekun me BE-në me 1,3 pikë përqindjeje krahasuar me vitin 2024, ndërsa Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut u afruan përkatësisht me 11,6 dhe 7,8 pikë.

Vetëm Kosova ishte pranë Shqipërisë, me 272 euro, ose 20% të mesatares së BE-së,  matur po me PPS. Bosnja dhe Hercegovina arriti në 42% të nivelit europian, Serbia në 44% dhe Maqedonia e Veriut në 52%. Mali i Zi kryesonte me 803 PPS, ose 58% të mesatares së BE-së.

Me pensionin mesatar në Mal të Zi mund të blihej afërsisht trefishi i mallrave dhe shërbimeve që mbulonte pensioni mesatar në Shqipëri.

Sipas Institutit të Vjenës Shqipërisë, së bashku me Kosovën dhe Serbinë do t’i duheshin mbi 100 vjet për të arritur nivelin mesatar të pensioneve në BE, sipas skenarit 2025.

Në të njëjtin skenar, Mali i Zi do ta arrinte mesataren europiane në 14 vjet, Maqedonia e Veriut në 23 dhe Bosnja e Hercegovina në 40.

Në Shqipëri, pesha në rritje e pensioneve të pjesshme ndihmon për të shpjeguar nivelin e ulët të përfitimeve.

Vitin kaluar 55,2% e pensioneve të pleqërisë ishin të pjesshme, nga 52,1% një vit më parë. Rreth 354 mijë përfitues të kësaj kategorie merrnin mesatarisht 13.500 lekë në muaj.

Për personat që përfituan një pension të ri të, periudha mesatare e sigurimit ishte 24,5 vjet, rreth 14 vjet më pak se periudha e plotë prej 38 vjetësh e 8 muajsh.

Puna e padeklaruar dhe nën-deklarimi i pagave ndikojnë në pension në mënyra të ndryshme. Periudhat pa sigurim shkurtojnë vjetërsinë që njihet për llogaritjen e pensionit, ndërsa një pagë e deklaruar më e ulët zvogëlon bazën mbi të cilën llogaritet shtesa për çdo vit sigurimi.

Sipas INSTAT-it, 21,8% e punësimit në biznese ishte informal në vitin 2025. Banka Botërore e identifikon nën-deklarimin e pagave si problem të përhapur në skemën shqiptare.

Brenda vendit, diferenca mes dy skemave mbetet e ndjeshme, pasi pensioni mesatar mujor i pleqërisë ishte 20.123 lekë në skemën urbane dhe 12.313 lekë në skemën rurale, sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Pensionet e reja të zakonshme të pleqërisë u lidhën me një mesatare prej rreth 16.500 lekësh në muaj. Në tetor 2025, pensionet u indeksuan me 2,5%, çka i shtoi 500 lekë në muaj një pensioni prej 20 mijë lekësh.

Në vitin 2025, për çdo pension kishte mesatarisht 1,18 kontribuues, ndërsa subvencioni buxhetor për skemën e detyrueshme arriti në 10,2 miliardë lekë. Sipas Bankës Botërore, vetëm 46% e popullsisë në moshë pune kontribuon në skemën e pensioneve.

Plakja e popullsisë shton presionin mbi një skemë që mbështetet te kontributet e të punësuarve për të financuar pensionet e sotme./ B.Hoxha

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Tatimet: Fermerët s’humbasin kompensimin 10% të këtij viti, edhe nëse kalojnë me TVSH në 2027

Për furnizimet e kryera gjatë vitit 2026 fermerët nuk do të humbasin të drejtën për të përfituar kompensimin 10% të TVSH-së, edhe në rast se nga 1 ...

15 hours më parë 3 Min Lexim

Qeveria propozon gjoba deri në 2,5% të xhiros për shkeljet e sigurisë kibernetike

Qeveria propozon gjoba deri në 15 milionë lekë për shkeljen e kërkesave bazë të sigurisë kibernetike për pajisjet dhe softuerët, si dhe për mosresp...

15 hours më parë 3 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!