Përshkallëzohet lufta, Rusia godet dy ura në Kiev, Ukraina sulmon urën strategjike të Kerçit
Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës është përshkallëzuar me sulme të reja ndaj infrastrukturës strategjike të të dyja palëve. Dy ura të mëdha në kryeqytetin ukrainas, Kiev, janë goditur nga raketat balistike ruse, ndërsa Ukraina ka sulmuar sërish urën e Kerçit, që lidh Rusinë me gadishullin e Krimesë së pushtuar.
Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, deklaroi se raketat ruse goditën dy ura kryesore në pjesën veriore dhe jugore të kryeqytetit, të cilat kalojnë mbi lumin Dnieper. Sulmet shkaktuan dëme në infrastrukturën kritike, duke ndërprerë furnizimin me ujë dhe energji elektrike në disa zona të qytetit.
Shpërthime të fuqishme u dëgjuan pak para mesnatës, ndërsa autoritetet u bënë thirrje banorëve të strehoheshin në objektet e mbrojtjes civile. Dëmtime u raportuan edhe në disa linja të metrosë që kalojnë mbi tokë, ndërsa ndërprerje pati edhe në furnizimin me ngrohje.
Rreth tre milionë banorë të Kievit mbështeten në tetë urat kryesore që lidhin dy brigjet e lumit Dnieper, duke e bërë infrastrukturën e tyre jetike për qarkullimin në kryeqytet.
Ndërkohë, Ukraina ka goditur për të dytën ditë radhazi urën e Kerçit, e cila lidh territorin rus me Krimenë e pushtuar. Guvernatori i rajonit i vendosur nga Moska, Sergei Aksyonov, njoftoi se trafiku në urë ishte pezulluar. Sipas autoriteteve të instaluara nga Rusia, sulmi shkaktoi vdekjen e dy personave.
Ura e Kerçit, e inauguruar nga presidenti rus Vladimir Putin në vitin 2018, është një objektiv strategjik për Ukrainën dhe është goditur disa herë që nga fillimi i pushtimit rus.
Sulmet e fundit ndodhën në një moment kur zyrtarë amerikanë, ukrainas dhe evropianë po zhvillonin negociata për gjetjen e një rruge drejt përfundimit të luftës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



