Sipas rendit të ditës, deputetët pritet të shqyrtojnë në lexim të parë Projektligjin për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2027, Projektligjin për Efiçiencën e Energjisë dhe atë për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore.

Në mesin e pikave të propozuara janë edhe procedimi i nismave legjislative të qytetarëve për hartimin e projektligjeve, emërimi i anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës, si dhe zgjedhja e katër anëtarëve të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), dy nga komuniteti shqiptar, një nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet jo shumicë.

Po ashtu, në rend dite është rekomandimi i Komisionit për Administratë Publike për shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Kryesia do të shqyrtojë edhe propozimin e Grupit Parlamentar të LDK-së për zëvendësimin e një anëtari në Komisionin Parlamentar Hetimor për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.

Në fund të mbledhjes, Kryesia do të shqyrtojë edhe propozimet dhe kërkesat e tjera.