Gazetari 50-vjeçar Camilo Rodríguez u vra me armë zjarri të hënën, më 16 nëntor, në qytetin Heredia, pranë kryeqytetit të Kosta Rikës, San Jose.
Dy persona ende të paidentifikuar, të cilët lëviznin me motoçikletë, iu afruan automjetit ku ndodhej gazetari dhe qëlluan drejt tij. Rodríguez u godit nëntë ose dhjetë herë dhe humbi jetën në vendin e ngjarjes.
Të lidhura
None found
Shefi i policisë, Raul Rivera, tha se autorët iu afruan makinës së viktimës, ndërsa zëvendësdrejtori i Shërbimit të Hetimit Gjyqësor, Vladimir Muñoz, konfirmoi numrin e plumbave që e goditën.
Prokurori i Përgjithshëm, Carlo Diaz, njoftoi se ka nisur hetimi për zbardhjen e vrasjes. Deri tani, autoritetet nuk kanë identifikuar të dyshuarit dhe nuk kanë përcaktuar motivin e krimit.
Rodríguez ishte i njohur për publikimet e tij të vazhdueshme në rrjetet sociale, ku denonconte veprimtarinë e grupeve të fuqishme të trafikut të drogës dhe lidhjet e dyshuara të tyre me politikanë.
Ai kishte deklaruar në mënyrë të përsëritur se ishte kërcënuar me vdekje. Gazetari pretendonte gjithashtu se u kishte përcjellë informacione Agjencisë Amerikane Kundër Drogës (DEA) për aktivitetin e karteleve në vend.
Edhe pse vitet e fundit nuk ishte i angazhuar në një media të caktuar, Rodríguez vijonte punën si gazetar i pavarur, duke publikuar çdo ditë në internet.
Shoqata e Gazetarëve të Kosta Rikës e dënoi vrasjen dhe kërkoi që përgjegjësit të identifikohen dhe të ndëshkohen sa më shpejt.
Presidentja e shoqatës, Giannsi Noguera, deklaroi se krimi mund të lidhej me denoncimet e gazetarit, duke theksuar se ngjarja dukej si një përpjekje për të mbyllur gojën e një zëri që ekspozonte krimin e organizuar.
Gazetari kishte pasur edhe një përplasje ligjore me presidenten aktuale të Kosta Rikës, Laura Fernandez.
Në gusht të vitit 2025, Fernandez e paditi për shpifje, pasi Rodríguez pretendoi se shtëpia e saj ishte ndërtuar me para të siguruara nga një trafikant droge. Këto pretendime nuk janë vërtetuar si fakte.
Pas vrasjes, presidentja Fernandez dënoi ngjarjen dhe e cilësoi atë si një sulm ndaj lirisë së shprehjes.
Rodríguez kishte provuar edhe të përfshihej në politikë, duke synuar kandidimin në zgjedhjet presidenciale të vitit 2022. Megjithatë, kandidatura e tij nuk u regjistrua për shkak të parregullsive procedurale.
Vrasja ndodhi në një kohë kur Kosta Rika po përballet me zgjerimin e karteleve ndërkombëtare të drogës dhe me përshkallëzimin e dhunës kriminale.
Vendi, i parë dikur kryesisht si një pikë tranziti për narkotikët, vitet e fundit është kthyer në një nyje të rëndësishme logjistike për organizatat kriminale.
Të dhënat për vitin 2025 tregojnë se niveli i vrasjeve arriti në 16.8 për 100 mijë banorë. Ndërkohë, Kosta Rika ka rënë edhe në klasifikimin ndërkombëtar për lirinë e shtypit, duke u renditur e 38-ta mes 180 shteteve, sipas Reporterëve pa Kufij.






