Bota

Arratisja e hajdutit kthehet në makth, e nxjerrin zjarrfikësit nga ashensori!

Disa rroba të vjedhura nga një lavanderi dhe më pas tentativa për t’u arratisur, e cila përfundoi keq për hajdutin, pasi ai mbeti i bllokuar në ashensorin e pallatit. Në përpjekje për të dalë, ai e dëmtoi mekanizmin aq rëndë sa ashensori mbeti jashtë funksionit. Për nxjerrjen e tij u desh ndërhyrja e zjarrfikësve, të cilët u detyruan të prisnin tavanin e ashensorit për ta liruar. Dëmet e përgjithshme vlerësohen në 50 mijë euro.

Ngjarja, e raportuar nga gazeta Corriere della Sera, ndodhi në Bolzano, mbrëmjen e së enjtes, më 12 nëntor. Ishin pothuajse ora 23:00 kur administratori i ndërtesës Palazzo Campofranco u njoftua nga dy të rinj, të cilët denoncuan zhdukjen e rrobave të tyre nga lavanderia me vetëshërbim, që ndodhet në katin -2 të godinës.

Pasi kontrolloi pamjet e kamerave të sigurisë, administratori vuri re një person që ishte larguar nga lavanderia me një çantë të madhe, duke u drejtuar për nga ashensori.  Ai njoftoi menjëherë policinë dhe së bashku me efektivët kontrolloi ndërtesën. Gjatë kontrolleve u gjetën rrobat e vjedhura, të cilat iu kthyen pronarëve. “Pas kësaj, policia u largua”, tregoi administratori për gazetën Corriere della Sera.

Hajduti mbetet i bllokuar në ashensor. Dukej sikur gjithçka kishte përfunduar, por administratori nuk ishte i qetë. Meqenëse në pamjet e kamerave nuk kishte parë që hajduti të largohej nga ndërtesa, vendosi të vazhdonte kërkimet.

“Kur kalova pranë ashensorit, dëgjova dikë që bërtiste: ‘Ndihmë!’ dhe kuptova se kishte mbetur i bllokuar brenda”, tregoi ai për gazetën italiane. Në vendngjarje mbërritën sërish policia, zjarrfikësit dhe teknikët e kompanisë përgjegjëse për ashensorët.

Nxjerrja e hajdutit nuk ishte aspak e lehtë. Në përpjekje për t’u arratisur, ai kishte shkatërruar panelin e komandimit të ashensorit, duke shkëputur të gjithë kabllot dhe duke bërë që ashensori të bllokohej në katin -2 të ndërtesës.

Për arsye sigurie, zjarrfikësit nuk patën zgjidhje tjetër veçse të prisnin tavanin e ashensorit, për të nxjerrë prej aty personin. Tashmë ai do të duhet të përballet me akuzat për tentativë vjedhjeje dhe dëmtim prone. Ndërkohë, dëmet materiale janë të konsiderueshme, me një vlerë paraprake prej rreth 50 mijë eurosh.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.