Bota

Trump drejt Azisë, pritet takimi historik me Xi Jinping-un dhe Vladimir Putin-in!

Presidenti amerikan, Donald Trump pritet të zhvillojë një vizitë në Azi, ku do të marrë pjesë në dy samite të rëndësishme në Manila dhe Shenzhen, në një përpjekje për të forcuar pozitat ndërkombëtare dhe kundërshtuar kritikat ndaj lidershipit të tij në SHBA.

Vëmendja kryesore përqendrohet te takimi historik mes Trump-it, liderit kinez Xi Jinping dhe presidentit rus Vladimir Putin, në kuadër të samitit të APEC-ut në Shenzhen.

Sipas agjendës së paralajmëruar, një nga temat kryesore të diskutimit do të jetë mospërhapja e armëve bërthamore. Trump ka shprehur besimin se mund të arrihet një marrëveshje e re mes fuqive më të mëdha bërthamore, veçanërisht pas skadimit në shkurt të traktatit për armët bërthamore mes SHBA-ve dhe Rusisë.

Megjithatë, lufta në Ukrainë pritet të jetë një tjetër çështje e rëndësishme. Trump deklaroi dje se synon ta diskutojë konfliktin me homologët rusë dhe kinezë, pavarësisht se zyrtarët amerikanë kishin lënë të kuptohej më herët se kjo temë nuk do të ishte pjesë e agjendës zyrtare.

Do të flasim për temën time të preferuar, Ukrainën, deklaroi Trump.

Takimi vjen në një moment delikat për marrëdhëniet ndërkombëtare. Kina dhe Rusia kanë forcuar bashkëpunimin strategjik, ndërsa aleatët e NATO-s akuzojnë Pekinin se po ndihmon Moskën në luftën kundër Ukrainës, përmes furnizimit me pajisje dhe teknologji.

Ndërkohë, marrëdhënia mes Trumpit dhe Putinit ka kaluar periudha tensionesh, por duket se është afruar gjatë muajve të fundit. Një tjetër element që mund të ndikojë në bisedimet aziatike është lufta me Iranin dhe pasojat e saj në tregjet energjetike. Rritja e çmimeve të karburantit ka shtuar presionin mbi ekonomitë e vendeve të rajonit.

Në takimin e veçantë me Xi Jinping, Trump mund të diskutojë edhe çështjen e themeluesit të Nvidia-s, Jensen Huang, dhe një afere të pretenduar që ka ngritur shqetësime në qarqet amerikane për lidhje të mundshme me inteligjencën kineze. Megjithatë, zyrtarët amerikanë nuk presin që kjo çështje të jetë pjesë e diskutimeve.

Trump ka lënë gjithashtu të hapur mundësinë e një takimi me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, nëse ky i fundit do të jetë i pranishëm në Kinë gjatë kësaj jave.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.