Bastisje në televizionin opozitar në Turqi, arrestime dhe emërim i administratorit nga qeveria Boksieri irlandez Lee Reeves ka ndërruar jetë në moshën 31-vjeçare, tre muaj pasi pësoi dëmtime të rënda gjatë një ndeshjeje boksi në Dublin. Lajmi i trishtë u bë i ditur të martën nga promotori i tij, Queensberry.
Reeves pësoi lëndime të rënda në muajin gusht, pasi u mposht me nokaut nga bashkëkombësi Gary Calley, gjatë një përballjeje në kategorinë e peshave të lehta welter.
Sipas mediave lokale në qytetin e tij të lindjes, Limerick, pas ndeshjes boksieri iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe më pas u vendos në gjendje kome të induktuar, ku qëndroi për rreth tre muaj.
Raportimet bëjnë me dije se gjendja e tij u komplikua gjatë fundjavës, pasi ai u prek nga një infeksion, i cili dyshohet se çoi në vdekjen e tij të hënën.
Promotori Queensberry shprehu dhimbjen për humbjen e sportistit, duke e cilësuar atë një boksier me talent të jashtëzakonshëm dhe një figurë frymëzuese për komunitetin e tij.
“Të gjithë në Queensberry janë të shkatërruar nga lajmi për ndarjen nga jeta të Lee Reeves. Lee ishte një boksier jashtëzakonisht i talentuar, si dhe një model i vërtetë dhe frymëzim për komunitetin e tij”, thuhej në deklaratë.
Edhe kundërshtari i tij, Gary Calley, reagoi në rrjetet sociale, duke shprehur tronditjen për vdekjen e Reeves dhe duke theksuar se mes tyre kishte pasur gjithmonë respekt dhe dashuri.
“Nuk ka pasur kurrë gjë tjetër veçse dashuri mes nesh, kampion. Nuk mund ta besoj që po e shkruaj këtë. U prehsh në paqe, vëlla”, shkroi ai.
Lee Reeves zhvilloi 18 ndeshje gjatë karrierës së tij profesioniste, duke regjistruar 16 fitore, 11 prej të cilave me nokaut.
Top Channel