Akuzat për ndërhyrje në dëshmi, Gjykata Speciale shpall sot aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë pritet të shpallin sot, të martën (17 nëntor), aktgjykimin e shkallës së parë në procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit. Çështja lidhet me pretendimet për pengim të administrimit të drejtësisë.
Në qendër të procesit janë vizitat e zhvilluara në Qendrën e Paraburgimit në Hagë gjatë vitit 2023. Sipas Prokurorisë, vizitat që nuk mbroheshin nga privilegji avokat-klient janë përdorur nga Thaçi për t’u përcjellë Smakajt, Kilajt dhe Fazliut informacione konfidenciale lidhur me dëshmitarët e Prokurorisë, si dhe udhëzime se si të ndikonin në dëshmitë e tyre në procesin kryesor.
Gjykimi u zhvillua përgjatë 11 ditëve seancash, me një numër relativisht të vogël dëshmitarësh: tre të thirrur nga Prokuroria dhe një nga mbrojtja e Thaçit.
Gjyqtari i vetëm i çështjes, Christopher Gosnell, do të vendosë nëse Prokuroria ka arritur të provojë fajësinë e të pandehurve përtej dyshimit të arsyeshëm. Në rast se ata shpallen fajtorë, do të shqiptohen edhe dënimet përkatëse.
Ky proces është tërësisht i ndarë nga gjykimi kryesor për krime lufte ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, aktgjykimi i të cilit u shpall më 16 shtator. Seanca e sotme fokusohet ekskluzivisht te pretendimet për ndërhyrje te dëshmitarët dhe cenim të funksionimit të drejtësisë gjatë procedurave në Hagë.
Pikat kyçe të aktakuzës dhe akuzat ndaj pesë të pandehurve:
- Hashim Thaçi: Përballet me 11 pika të aktakuzës: tri për tentativë për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave, katër për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër për mosbindje ndaj Gjykatës. Prokuroria pretendon se ai ka koordinuar tri grupe të ndara për të ndikuar te dëshmitarët.
- Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu: Secili prej tyre ngarkohet me akuza për tentativë për pengimin e personave zyrtarë dhe për mosbindje ndaj Gjykatës.
- Hajredin Kuçi: Akuzohet për dy pika të veprës penale të mosbindjes ndaj Gjykatës. Në to përfshihet marrëveshja e pretenduar me Thaçin për të kontaktuar dëshmitarët jashtë rregullave gjyqësore, si dhe një kontakt i veçantë me një dëshmitar.
Të pesë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm gjatë gjithë procesit.
Kronologjia e procesit gjyqësor:
- 27 shkurt 2026: Nis zyrtarisht gjykimi.
- 13 mars 2026: Përfundon paraqitja e provave nga ana e Prokurorisë.
- Faza e mbrojtjes: Vetëm ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit dhe Isni Kilajt paraqitën prova.
Tragjedi në Gjermani, humbin jetën në një aksident të rëndë dy të rinj nga Kosova
Spanja: Nuk do të jemi pengesë për afrimin e Kosovës me BE-në
Thaçi: Jam krenar që kam qenë ushtar i UÇK-së, ajo uniformë është nder dhe krenari
- 08:49 Netanyahu kritikon udhëheqësit evropianë: Irani është kërcënim, “nuk jeni spektatorë, por shënjestër” (VIDEO)
- 08:39 Tre muaj pas nokautit në ring, ndërron jetë në moshën 31-vjeçare boksieri irlandez Lee Reeves
- 08:31 Vance: Nuk do të lejojmë që konflikti me Iranin të zgjasë me vite
- 08:22 “Bëra më të mirën që munda, pavarësisht gabimeve”, Macron mesazh në 10-vjetorin e shpalljes së kandidaturës për president
- 08:11 Guatemala nis operacionin kundër karteleve Lorenzana dhe Los Mendoza, qindra ushtarë në terren
- 08:04 Denoncoi lidhjet e politikanëve me trafikantët e drogës, vritet me armë zjarri gazetari në Kosta Rika (VIDEO)