Boksieri irlandez Lee Reeves ka vdekur në moshën 31-vjeçare, tre muaj pasi pësoi dëmtime të rënda në një ndeshje boksi në Dublin, njoftoi promotori i tij, Queensberry. Ai u lëndua në gusht, kur u nokautua nga bashkëkombësi Gary Calley në një përballje në kategorinë e peshave të lehta welter.
Sipas mediave lokale në Limerick, vendlindjen e tij, pas ndeshjes Reeves iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe u vendos në koma të induktuar, në të cilin qëndroi rreth tre muaj. Raportimet bëjnë me dije se gjendja e tij u përkeqësua gjatë fundjavës kur u shfaq një infeksion, i cili dyshohet se çoi në vdekjen e tij të hënën.
Promotori Queensberry shprehu dhimbje për humbjen, duke e përshkruar Reeves si një boksier me talent të jashtëzakonshëm dhe si një figurë inspiruese për komunitetin e tij. Në deklaratën e kompanisë u theksua se stafi dhe të gjithë të lidhurit me Queensberry janë të shkatërruar nga lajmi për ndarjen nga jeta të sportistit.
Edhe kundërshtari i tij nga ajo ndeshje, Gary Calley, reagoi në rrjetet sociale, duke shprehur tronditjen për vdekjen e Reeves dhe duke theksuar se mes tyre kishte pasur gjithmonë respekt dhe dashuri. Calley u shpreh i tronditur dhe i pikëlluar, duke i dhënë lamtumirën e fundit me fjalë që shfaqnin mosbesim e keqardhje për ngjarjen.
Gjatë karrierës së tij profesioniste, Lee Reeves zhvilloi 18 ndeshje, nga të cilat fitoi 16, dhe 11 prej fitoreve i arriti me nokaut. Lajmi për vdekjen e tij u bë publik nga promotori Queensberry, ndërsa raportet lokale të Limerick dhanë detaje për trajtimin mjekësor pas ndeshjes dhe për komplikacionet që pasuan.
