SHBA-të intensifikojnë përpjekjet për paqe në Ukrainë, Witkoff dhe Kushner takohen me zyrtarët evropianë në Berlin

17/11/2026 09:22

Një tjetër përpjekje diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë pritet të zhvillohet këtë javë, me administratën amerikane që po intensifikon kontaktet me Kievin, vendet evropiane dhe Moskën.

Të dërguarit specialë të presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, planifikojnë të takohen të enjten në Berlin me zyrtarë ukrainas dhe evropianë. Në qendër të diskutimeve pritet të jenë garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe një plan për rimëkëmbjen ekonomike të vendit pas përfundimit të luftës, raportojnë mediat amerikane, duke iu referuar një zyrtari të administratës amerikane të cituar nga Axios.

Takimi në kryeqytetin gjerman vjen një javë pasi Witkoff dhe Kushner i kërkuan Moskës të paraqiste propozime konkrete për një kornizë të re sigurie në Evropë pas luftës. Uashingtoni e konsideron këtë proces pjesë të përpjekjeve për të krijuar kushtet e nevojshme për një marrëveshje që do t’i japë fund konfliktit.

Sipas zyrtarit amerikan, prioriteti i bisedimeve në Berlin është hartimi i garancive që do të pengonin Rusinë të sulmonte sërish Ukrainën, si dhe përcaktimi i hapave për rindërtimin e ekonomisë ukrainase.

Witkoff dhe Kushner kanë zhvilluar kontakte të vazhdueshme me përfaqësuesit e Ukrainës dhe vendeve evropiane, ndërsa paralelisht kanë mbajtur komunikimin edhe me Moskën. Takimi në Berlin dhe vizita e Trump në Kinë janë përshkruar nga administrata amerikane si pjesë e një përpjekjeje të koordinuar diplomatike.

Në zhvillimet e negociatave janë informuar edhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, sekretari i Thesarit, Scott Bessent, si dhe shefi i kabinetit të Shtëpisë së Bardhë, Stephen Miller.

Kontaktet me Moskën dhe kërkesa e Uashingtonit

Përpjekjet diplomatike janë intensifikuar edhe në drejtim të Kremlinit. Witkoff dhe Kushner u takuan me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë të enjten e kaluar, ndërsa të hënën zhvilluan një tjetër bisedë me këshilltarin e politikës së jashtme të Putinit, Yuri Ushakov, për të diskutuar hapat e ardhshëm të negociatave.

Javën e kaluar, Axios raportoi se Shtetet e Bashkuara i kishin kërkuar Rusisë të paraqiste një propozim për sigurinë evropiane, ku të përfshiheshin masa konkrete për uljen e tensioneve.

Megjithatë, qeveritë evropiane mbeten skeptike për gatishmërinë e Moskës për të respektuar një marrëveshje të mundshme. Edhe pse Uashingtoni kishte shpresuar se lehtësimi i disa sanksioneve ndaj naftës ruse mund të nxiste lëshime nga Kremlini, presidenti Putin ka vijuar të refuzojë një armëpushim.

Përplasjet për rolin e Evropës në negociata

Një tjetër çështje që mbetet e pazgjidhur është përfshirja e drejtpërdrejtë e vendeve evropiane në negociatat me Rusinë.

Witkoff dhe Kushner kanë pretenduar se Moska është pajtuar që përfaqësuesit evropianë të kenë një vend në tryezën e bisedimeve. Por këshilltari i Putinit, Yuri Ushakov, e mohoi të hënën se është arritur një marrëveshje e tillë, duke nxjerrë në pah dallimet që vazhdojnë të ekzistojnë mes Uashingtonit dhe Moskës.

Ndërkohë, vëmendja diplomatike do të përqendrohet edhe në Kinë, ku Donald Trump pritet të takohet me presidentin rus Vladimir Putin dhe atë kinez Xi Jinping. Presidenti amerikan ka deklaruar se pret të diskutojë me të dy udhëheqësit edhe për luftën në Ukrainë.

Zhvillimet e kësaj jave pritet të tregojnë nëse përpjekjet e reja diplomatike mund të sjellin përparim konkret drejt një marrëveshjeje paqeje.

Top Channel