Owen ngre pikëpyetje për Pochettinon: A mund të ketë sukses dikush te Manchester United?
Ish-sulmuesi i Manchester Unitedit, Michael Owen, ka shprehur skepticizëm lidhur me ndikimin që mund të ketë Mauricio Pochettino në stolin e “Djajve të Kuq”, duke theksuar se problemet e klubit mund të jenë shumë më të thella sesa zgjedhja e trajnerit.
Owen e vlerëson lart trajnerin argjentinas, si në aspektin profesional, ashtu edhe në atë personal, por rikujton se edhe emrat e mëdhenj që kanë drejtuar Manchester Unitedin gjatë 10-15 viteve të fundit nuk kanë arritur ta rikthejnë klubin në nivelet e dikurshme.

“Është padyshim një trajner shumë i mirë. Më pëlqen shumë, edhe si person, edhe si trajner. Por nuk mund të anashkaloj faktin se gjatë 10-15 viteve të fundit në këtë klub kanë ardhur edhe trajnerë të tjerë të mëdhenj. Pyetja kryesore është: a ka rëndësi kush vjen në këtë post?”, deklaroi Owen.
Ish-futbollisti anglez theksoi se emërimi i Pochettinos nuk garanton ndryshim, pasi sipas tij, të gjithë trajnerët e mëparshëm kanë ardhur me pritshmëri të mëdha, por rezultatet nuk kanë qenë në nivelin e dëshiruar.
“Kushdo që vjen, qoftë Michael Carrick, Pochettino apo dikush tjetër, mendoj se kjo është pyetja kryesore. Për 15 vjet, në fund të fundit, asgjë nuk ka ndryshuar. Ka qenë e njëjta histori”, u shpreh ai.

Owen e krahasoi situatën aktuale me periudhat kur Manchester Unitedi drejtohej nga Jose Mourinho, Louis van Gaal, Ole Gunnar Solskjaer, David Moyes dhe Ruben Amorim, duke rikujtuar se secili prej tyre kishte ardhur me shpresën për ta rikthyer klubin në majat e futbollit anglez.
“A do të jetë Pochettino ndryshe nga Mourinho, Van Gaal, Solskjaer, Moyes, Amorim dhe të gjithë të tjerët? Secili prej tyre erdhi me shumë shpresë dhe pritshmëri, ashtu siç po ndodh tani me Pochettinon. Por pyetja më e madhe është nëse dikush mund të ketë sukses në këtë klub, duke pasur parasysh mënyrën se si është i organizuar aktualisht”, përfundoi ish-sulmuesi i Unitedit.
Manchester Unitedi po kalon një periudhë të vështirë, pasi pas 10 xhirove të zhvilluara në Ligën Premier renditet në vendin e 18-të, një pozitë që e vendos klubin në një situatë tejet shqetësuese. /Telegrafi/


































