Reshjet e dendura të shiut gjatë 24 orëve të fundit kanë shkaktuar problematika në disa zona të qarkut Shkodër. Sipas informacionit të Prefekturës, situata paraqitet përgjithësisht e qëndrueshme, ndërsa janë evidentuar dëmtime në infrastrukturë dhe rrëshqitje dherash në disa akse rrugore.

Në Bashkinë Shkodër, si pasojë e rritjes së prurjeve të përrenjve, është dëmtuar ura në Grykën e Nërshqemit, në fshatin Breg Lumi, Njësia Administrative Shalë.

Ndërkohë, në Bashkinë Fushë-Arrëz janë konstatuar rënie gurësh dhe rrëshqitje dherash në disa akse rurale. Strukturat përgjegjëse janë angazhuar për pastrimin e rrugëve dhe normalizimin e qarkullimit.

Në bashkitë Malësi e Madhe dhe Vau i Dejës nuk raportohen problematika.

Gjatë 24 orëve të fundit në territorin e qarkut janë regjistruar rreth 65 milimetra reshje shiu. Prefektura bën me dije se nivelet e lumit Drin dhe të liqenit vijojnë të jenë nën kuotat e riskut, ndërsa hidrovorët janë funksionalë dhe në gatishmëri.

Prefektura e Qarkut Shkodër vijon monitorimin e pandërprerë të situatës dhe koordinimin me bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe ndërhyrjen në kohë në rast problematikash.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në zonat malore dhe në akset rrugore ku janë evidentuar rrëshqitje dherash.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb